Elegante, klas dhe mbi të gjitha me aksesorin që e shoqëron gjithnjë “buzëqeshjen”, moderatorja Floriana Garo rikthehet për të pestin sezon në Tv Klan me programin e saj “Jo vetëm modë”. Në një intervistë për Opinion.al moderatorja simpatike na tregon gjithçka rreth programit, të ftuarit e rinj dhe pse jo edhe pak nga privacia e saj, që Floriana e mbron me shumë fanatizëm.
Floriane ” Jo vetëm modë” sërish në Klan. Çfarë do të shohim gjatë këtij sezoni të ri?
Gjatë këtij sezoni do të shohim speciale shumë të bukura që informojnë e argëtojnë shikuesit, njëkohësisht duke i dhënë atyre motivimin dhe ide si të jetojnë sa më mirë, duke u bazuar tek formati “lifestyle” i programit. Edhe studioja e programit do të ketë një dizajn krejt ndryshe më klasik, për t’ju përshtatur natyrës time.
Do të kemi shtim rubrikash apo do të vijosh me të njëjtin stil programi?
Programi ka nisur sezonet e para me një pjese shqiptare ndërkohë që pjesa tjeter ka qenë me materiale të përkthyera nga yjet e Hollivudit. Pjesa shqiptare gjithmonë është pëlqyer më shumë, ndaj kemi vendosur që këtë sezon në emision të kemi vetem speciale shqiptare të xhiruara nga ne. Në një puntatë do të ketë 1 ose 2 speciale.
Çfarë do të shohim puntatën e parë, nëse do mund të na zbulonit dicka…
Patjetër! Sot do të shohim një profil të plotë të nën-kampiones së Europës në atletike, Luiza Gega! Do të bëjmë një bisede me të rreth karrierës dhe jetes së saj dhe të kuptojme si arriti ajo të marrë çmimin më të madh që ka marrë Shqipëria ndonjëherë, duke u rritur në kushte fare modeste. Është një histori frymëzuese dhe prekëse dhe Luiza është një shembull për të gjithë ne! Krahas kësaj, do te futemi edhe në boten e mjekësisë, më specifikisht urologjisë, ku bëjmë një bisedë në spitalin Acibadem në Turqi me profesorin Eskicorapci për problemet urologjike. Specialet mjekësore që kemi nisur të shfaqim në program herë pas here kanë patur shumë interes, sepse kanë të bëjnë me stilin e jetës.
Sa është “rritur” Floriana nga puntata e parë e deri sot?
Më shumë sec mund ta mendoja. Unë kam dashur me gjithë zemër që programi të bëhej i suksesshëm dhe kam punuar shumë për këtë, por kjo punë më ka pjekur dhe më ka dhënë një kënaqësi të pamasë. Njerëzit frymëzues që kam takuar, çdo dalje në transmetim dhe ndikimi pozitiv që programi ka patur tek shikuesit ka justifikuar çdo lodhje dhe mund timin dhe të stafit të mrekullueshëm që më ndjek.
A është e vështirë të jesh autore dhe moderatore?
Nuk është aq e thjeshtë sa duket por çdo punë e bërë me pasion dhe dashuri, për mua nuk është punë. Autorësia e programit më ka dhënë një dimension tjetër kënaqësie dhe motivi. Pra rëndësia nuk bie vetem tek unë, e tek si do dukem unë në ekran, por tek përzgjedhja e temave dhe njerëzve që të jenë sa më të pëlqyeshme dhe ndikuese tek publiku. Ky është sezoni i 5-të i “Jo vetëm modë” dhe shikueshmëria ka qenë gjithmonë në rritje çdo sezon. Dëshiroj ti falenderoj të gjithë ndjekësit e mi me mirënjohje dhe përulesi!
Le të flasim pak për pushimet duket se je shplodhur këtë verë. Si fillim pse zgjodhe të pushoje aq larg (Bali)?
Sepse kisha kuriozitet për ato vende. Unë jam natyrë shpirtërore dhe doja të dija ndjesitë që do kisha po të gjendesha në ato vende historike që mbartin një energji të madhe. E ndikuar edhe nga librat që kam lexuar natyrisht… Të gjata po, sepse udhëtimi për në Singaporë dhe më tej në Indonezi, është shumë i gjatë dhe të duhet kohë që ato vende ti eksplorosh siç duhet. Më duhet të pranoj që ishte një shkëputje totale nga bota me të cilën jam mësuar dhe kjo më bëri mirë.
Ndonjë moment të veçantë nga kjo verë…
Gjithçka ka qenë e veçantë!
Duket në rrjetet sociale apo Floriana bën vërtetë jetë vanitoze?
Jo. Unë bëj një jetë normale, mbi mesataren, por kurrsesi vanitoze. Natyrisht që kam rastin dhe fatin të vizitoj vende të mrekullueshme në sajë të programit “lifestyle” që drejtoj, por nuk jetoj në luks dhe të gjithë duhet të binden se gjërat shpeshherë nuk janë tamam ashtu siç duken.
Kam venë re një detaj në fotot tuaja. Ndonëse keni qenë miss e keni forma tipike prej modelje, nuk preferoni ti shfaqni ato. Pse ndodh kjo me ty?
Faleminderit, por nuk do thoja që kam tamam format e një modeleje. Unë kam një trup të mire dhe për fat të gjatë, por ulje dhe ngritje peshë kam gjithmonë. Arsyeja pse nuk i shfaq format është sepse nuk më intereson që të komentohem për to dhe për hiret e mia trupore. Dua të vlerësohem dhe të gjykohem për punën që bëj dhe shembullin që jap.
A je e fiksuar pas numrit të ndjekësve në rrjetet sociale?
Jo nuk jam aspak e fiksuar. Më vjen mirë të kem ndjekës, por ndjekës të vërtetë që më shohin emisionin dhe punët që unë bëj dhe jo njerëz që më ndjekin thjesht se u dukem tërheqëse.
Me kë pushoi Floriana këtë verë?
Me të dashurin tim.
Suada Daci/ Opinion.al