Një turne ndërkombëtar mes klubeve më të mira të planetit, me ndeshjet që nuk do të zhvillohen vetëm në Europë, por edhe në Kinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Amerikës së Jugut. Kjo është ajo që duan klubet evropiane dhe që sipas Jacco Swart, drejtori i EPFL (Shoqata e Kampionateve profesioniste evropiane) bëhet fjalë për një “zhvillim që askush nuk është më në gjendje ta ndalë”. Deklaratë kjo që është botuar nga e përditshmja britanike “Mirror”, që ka theksuar se mes skuadrave më shumë të interesuara për këtë projekt është edhe Juventus.
Ky super kampionat do të zëvendësonte Champions League-ën aktuale, por do të përfshinte edhe klube të kontinenteve të tjerë, duke përfshirë edhe Afrikën dhe Oqeaninë. Ky ndryshim kërkohet pikërisht nga klubet e mëdha të Europës, veçanërisht nga ato spanjollë, gjermanë dhe italianë (Juventus në krye), që në këtë mënyrë mund të eliminojnë diferencat ekonomike me Premier League: “Do të jetë një festë ekskluzive, ku do të marrin pjesë vetëm ekipet më të mëdha të planetit”, ka shpjeguar Swart.
Gjithsesi, drejtuesi holandez ka theksuar edhe se nisja e këtij kompeticioni të ri do të ishte shkatërrimtare për skuadrat e vogla, sepse do të rriste ndjeshëm diferencat ekonomike dhe teknike me klubet më të pasur: “Ky Superkampionat do të drejtohet nga tregjet televizive dhe nga sponsorët e mëdhenj të së gjithë botës dhe jo nga faktorë që kanë lidhje me futbollin. Futbolli siç e njohim do të zhdukej”. “Mirror” ka provuar të bëjë një listë të skuadrave që do të merrnin pjesë në këtë Botëror për Klube:
KINË Guangzhou, Shanghai
USA New York City, LA Galaxy
AUSTRALIA Melbourne City BRAZIL Corinthians
ITALI Juventus, Inter dhe Milan
SPANJA Real Madrid, Barcellona, Atletico Madrid
AFRIKA e JUGUT SuperSport United
GJERMANIA Bayern Monaco, Borussia Dortmund
FRANCIA Paris Saint Germain, Lione
ANGLIA Arsenal, Liverpool, Chelsea, Manchester City, Manchester United