Uragani “Hermine” goditi veriun e Floridas, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u bërë i pari që kalon në këtë shtet në 11 vitet e fundit.
“Hermine” ka goditur bregdetin në gjirin e Floridas, në orët e para të së premtes, duke sjellë një valë të madhe stuhish.
Qendra Kombëtare e Uraganeve në SHBA njoftoi se erërat arritën shpejtësinë e 130 km/h dhe sipas vlerësimit të specialistëve, “Hermine” konsiderohet një uragan i kategorisë së parë.
Guvernatori, Rick Scott, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në 51 qarqe, ndërsa banorët po përgatiten për stuhi të rrezikshme.
Sipas zyrtarëve, rreth 70 mijë familje janë pa energji elektrike, ndërsa rreziku më i madh mbetet dalja e lumenjve, dhe ekipet e emergjencave u bënë thirrje njerëzve të largohen nga zonat e ulëta.
Uragani “Wilma” ishte i fundit që goditi Floridan, në tetor të vitit 2005, duke shkaktuar 5 të vdekur dhe dëme material deri 23 miliardë dollarë.