Liderët politikë në Maqedoni kanë rënë dakord për datën e zgjedhjeve të parakohshme. Ato do të mbahen më datën 11 dhjetor.
Portali shqiptar “Zhurnal” ka publikuar dokumentin e firmosur nga partitë kryesore në vend.
“Liderët e katër partive më të mëdha, nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos, VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe PDSH, kanë konstatuar se janë plotësuar kushtet e Marrëveshjes së 20 korrikut për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare gjatë vitin 2016. Ata janë pajtuar që zgjedhjet të mbahen më 11 dhjetor dhe parlamenti të shpërbëhet ashtu siç e kërkon Kushtetuta e RM-së”, shkruhet në dokument.
“Qeveria që do t’i organizojë këto zgjedhje do të zgjidhet në 2 shtator në përputhje me Marrëveshjen e 20 korrikut.
Zonja Santa Argirova do të emërohet kryeredaktore e lajmeve në MTV1 më 2 shtator dhe do ta mbajë këtë detyrë deri në përfundimin e procesit zgjedhor.
Partitë nënshkruese i bëjnë thirrje Këshillit të ASHMAA t’i përmbahet Metodologjisë së caktuar më 5 janar 2016, të bëjë ndryshimet e duhura dhe t’i përmbahet kësaj deri në përfundimin e procesit zgjedhor.
Partitë apelojnë deri te 4 anëtarët e Komitetit “Ad hoc” të zgjedhin z. Lulzim Aziri si anëtarin e pestë të këtij komiteti.
Partitë zotohen se do të bëjnë një fushatë demokratike dhe kompetitive pa dhunë dhe pa frikësime dhe se do të dënojnë çdo përdorim të gjuhës dhe veprave tjera që nxisin dhunë dhe frikësim”, vijon dokumenti.