Më pak se gjysma e gjermanëve duan ta shohin Angela Merkel sërish si kancelare. Sipas një sondazhi të kryer së fundmi, vetëm 42 për qind e të pyeturve duan që ajo të qëndrojë. Ndërsa, 50 për qind duket se janë të pakënaqur me qeverisjen e saj, pasi kërkojnë që ajo të mos drejtojë më vendin.
Mirëpo, Merkel ende nuk ka deklaruar se do të garojë për një mandat tjetër. E pyetur në lidhje me këtë çështje, kancelarja gjermane është shprehur: “Do të flas për këtë në kohën e duhur”.
Një tjetër sondazh i realizuar në nëntor tregoi se 48 për qind ishin kundër qëndrimit të Merkel, ndërsa 45 për qind pro saj.
Kancelarja gjermane është përballur me shumë kritika, për shkak të politikës së saj të dyerve të hapura. Vetëm vitin e kaluar në Gjermani kanë hyrë mbi 1 milionë refugjatë dhe kjo ka shkaktuar probleme në vend. Në këtë mënyrë është rritur edhe pakënaqësia e popullit për qeverisjen e saj. Popullariti i Angela Merkel ka rënë ndjeshëm.