Ndonëse i rritur larg Kosovës, Lorik Cana është gjithmonë me sy e veshë nga atdheu, Kosova dhe Shqipëria, të cilat nuk i dallon, por i shikon si “zemrën e shqiptarisë”. Nga fama e tij mundohen të marrin herë pas here edhe politikanët nga të dyja anët e kufirit, të cilët Loriku i respekton, ndonëse thellë-thellë ka kritika për punën e tyre në dobi të kauzave kombëtare apo mirëqenies së popullit. Duke folur për revistën “Kosovarja”, rekordmeni i ndeshjeve me kombëtaren kuqezi, u shpreh kështu për politikën dhe politikanët:
“Nuk është se nuk i njoh, pasi mundohem të azhornohem herë pas here për gjendjen politike, kryesisht në Shqipëri. Më duket shumë e rëndësishme që njeriu të jetë i informuar, jo vetëm se çfarë ndodh në vendin e tij, por në mbarë botën. Në të ardhmen do të kthehem në vendin tim, edhe nëse jo aty ku jeton familja ime. Më intereson të informohem për çdo territor, ku ka shqipfolës. Unë besoj se kemi politikanë të aftë për të drejtuar vendin, por që nuk iu jepet mundësia atyre që janë të tillë.
Si gjithmonë, politika është në interes të pushtetit. Aty brenda ka gjithmonë konflikte për interesa personale. Unë nuk mendoj se politika është komplet negative, por duke parë nevojat që ka vendi ynë dhe vështirësitë që has populli, mendoj se politikanët kanë akoma shumë punë për të bërë. Pyetja e duhur është: a po ecin me shpejtësinë e duhur Shqipëria dhe Kosova? Personalisht jam i mendimit se, kur ke mundësinë t’i ngjitësh shkallët katër e nga katër, duhet ta bësh për të arritur nivelet e shteteve të tjera”.