‘Nuk do lëmë askënd vetëm, asnjë familje, asnjë komunë’.
Kështu deklaroi kryeministri italian Matteo Renzi, në një dalje të shkurtër për mediat, pas tërmetit shkatërrues që goditi Italinë Qendrore, në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Duke falenderuar vullnetarët që vijojnë të gërmojnë me duar nën gërmadha, për të nxjerrë personat e bllokuar, kryeministri italian theksoi se për momentin ky mbetet prioriteti kryesor, gërmimi nën gërmadhat që shkaktoi tërmeti, për ti shpëtuar të gjithë.
“Sot Italia qan për qytetarët e saj, por tregon botës mbarë lotët, por edhe zemrën e madhe të vullnetarizmit, të mbrojtjes civile dhe të institucioneve të saj. Falenderoj ata që gërmuan që prej orës 3:36 me duar nën gërmadha.
Puna po vijon dhe duhet të bëhemi gati për emergjencën e ditëve, orëve dhe javëve në vazhdim, Por tani, prioriteti mbetet gërmimi” deklaroi kryeministri italian.