Vëllai i personit që shfaqet në një video në momentet kur goditet nga një efektiv i Policisë ka folur për faqen që publikoi videon, “Jeta Osh Qef”.
Ai tregon se ngjarja nuk ka patur asnjë motiv. Personi i identifikuar me inicialet G.K. thotë se vëllai i tij kishte ardhur nga jashtë me pushime në Shqipëri.
“Përshëndetje, jam vëllai i personit që është në video, ai ka qenë duke u kthyer nga Shëngjini me të fejuarën dhe me mbesën si dhe vëllain tjetër.
Polici i ka ofenduar edhe ato janë ndalur, në momentin që janë ndalur ka ikur polici dhe u ka thyer xhamin e pasagjerit dhe ata janë ulur për të biseduar dhe në momentin që ikën për të folur, e ka goditur polici rrugor dhe e kanë dhunuar edhe në Komisariatin e Lezhës dhe janë duke e mbajtur akoma aty”, thotë vëllai i shoferit.
I pyetur se cila ishte shkelja dhe arsyeja e ndalimit nga policia, ai thotë se nuk kishte asnjë shkak, duke thënë me tej se pa asnjë mëshirë i kanë lënë mbesën në mes të rrugës, ajo është vetëm 8 vjeç.
“Polici i ka dalë para dhe vëllai është ndaluar në vend dhe polici shkon në krahun e pasagjerit edhe i thyen xhamin dhe pastaj shan me familje shoferin dhe shkon i kap për fyti dhe duket qartë në video dhunimi.
Ata e arrestuan dhe e lanë mbesën 8 vjeçe në mes të rrugës dhe personi që është në video ndodhet në komisariat dhe nuk e kanë dërguar në spital për mjekim, ne kemi ardhur për pushime se jetojmë të gjithë në Itali”, shkruan më tej i riu, ndërsa ende nuk ka një reagim nga policia në lidhje me këtë ngjarje.