Pak ka ndryshuar që nga viti 2015 për cilësinë e të jetuarit në Tiranë, sipas sondazhit më të fundit të kompanisë “Mercer”, e cila specializohet në konsulencën për burimet njerëzore dhe shtrihet në të gjithë botën.
Kështu, për sondazhin më të fundit të “Cilësisë së Jetesës”, Tirana vazhdon të renditet ndër tri qytetet me cilësinë më të keqe në Evropë për të jetuar.
Për vitin 2016, Tirana është renditur në vendin e 179-të, në rang global. Tri qytete me cilësinë më të ulët të të jetuarit në Evropë janë Kievi (rang botëror: 176), Tirana (rang botëror: 179) dhe Minsku (rang botëror: 180).
Vjena, kryeqyteti i Austrisë, vazhdon të renditet në vendin e parë për sa i përket cilësisë së të jetuarit, ndërsa në vendin e fundit është kryeqyteti i Irakut, Bagdadi (230).
Të dhënat që analizohen për të nxjerrë një përllogaritje të cilësisë së të jetuarit në një qytetet janë: faktorë që ndikojnë te shëndeti; strehimi; shkollat dhe arsimi; mallrat e konsumit; mjedisi ekonomik; shërbimet publike dhe transporti; mjedisi politik dhe social; mjedisi kulturor; mjedisi natyror; argëtimi. /BW/