De Biazi fton Jahmir Hykën në Kombëtaren shqiptare të futbollit. Mesfushori që luan në Superligën zvicerane pritet t’i bashkohet ekipit në ndeshjet eliminatore “Rusi 2018”.
Në valën e largimeve drejt Kosovës, De Biazi duket se nuk ka humbur kohë dhe ka afruar mesfushorin e Luzernës në radhët e kuqezinjve. Në një lidhje telefonike për “Supersport”, De Biazi vlerësoi se forma e mesfushorit ka ardhur në rritje në Zvicër.
“Shqipëria do të niset nga grupi që luajti në “Euro 2016″, por edhe nga lojtarë si Hykaj e Manaj. Hyka ka pasur një rendiment të shkëlqyer në Zvicër, ndërsa Manaj do të ketë mundësinë të luajë rregullisht dhe po rritet”,tha De Biazi. Reagimi i tij vjen pas lajmit se Milot Rashica vendosi të luajë për përfaqësuesen e Kosovës. Për këtë të fundit tekniku shprehu keqardhjen duke thënë se e kishte planifikuar si pjesë të kuqezinjve në ndeshjet eliminatore. Gjithashtu, De Biazi zbuloi se emri tjetër që i bashkohet Kosovës është edhe Herolind Shala. Duke folur për vështirësitë për ndeshjet e Botërorit, De Biazi tha se: “Do të jetë një fushatë shumë e vështirë se kemi Spanjën dhe Italinë dhe vetëm një ekip kualifikohet”,tha trajneri.