Prokuroria e Tiranës dorëzoi dje në Gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj katër personave të arrestuar në lidhje me vrasjen e 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës.
Prokurori që ka drejtuar hetimet paraprake, Julian Zonja, depozitoi dje në Gjykatën e Tiranës materialet shkresore me të cilat kërkon masën “arrest me burg” ndaj katër shtetasve të prangosur dhe një tjetri në kërkim.
“Masa e sigurisë arrest me burg është kërkuar për shtetasit Besnik Braha, 53 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë përgjegjës firme; Edmond Kollari, 40 vjeç, banues në Tiranë, drejtues ekskavatori; Dëfrim Hakrama, 44 vjeç, banues në Tiranë, përgjegjës turni; Bujar Daja, 45 vjeç, banues në Kavajë, përgjegjës i punonjësve; dhe për shtetasin Edurim Teqja, 48 vjeç, banues në Peqin, administrator i firmës “3 K sh.p.k.”, bënë me dije burimet zyrtare. Sipas tyre, masa e arrestit me burg është kërkuar për shkak të pasojës së rëndë të ardhur nga ngjarja, me humbjen e jetës së 17 vjeçarit. Seancat pritet të zhvillohen ditën e sotme në Gjykatën e kryeqytetit.
Dëshmitë “rrënqethëse”
Burimet nga grupi i hetimit thanë se pas arrestimit në flagrancë nga Policia, katër personat e akuzuar janë marrë në pyetje në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Hetuesit e Prokurorisë dhe të Sektorit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë Tiranë kanë marrë dëshmitë e përgjegjësit të firmës, Besnik Braha, drejtuesit të ekskavatorit Edmond Kollari, përgjegjësit të turnit Dëfrim Hakrama, si dhe përgjegjësit te punonjësve, Bujar Daja. Këto deklarime, në fund kanë rezultuar kontradiktore dhe për këtë arsye është vendosur edhe arrestimi i të dyshuarve. Hetuesit i cilësuan rrëqethëse dëshmitë e dhëna nga katër të arrestuarit. “Nuk e njohim personin që u gjet i vdekur në landfill dhe nuk e kemi idenë si ka hyrë aty”, kanë thënë të arrestuarit, duke shfrytëzuar mesa duket faktin se i riu nuk ishte i regjistruar e i deklaruar në punë. Ata kanë shtuar se trupin e pajetë mund ta kenë sjellë kamionët që dërgonin mbeturina nga Tirana në landfill dhe e kanë hedhur aty mes mbetjeve, duke hedhur poshtë mundësinë e vrasjes nga “ekskavatori me kova”. Ky mjet mendohet se e ka goditur 17 vjeçarin e vrarë tragjikisht me plagë në kokë dhe dëmtime të tjera të rënda në gjithë trupin./ Panorama.al Trazhgim Sokolaj