Nga Rudina Xhunga
Turisti rus që vdiq javën e shkuar në Himarë, këtë javë është lajm i vjetër për ne. Por jo për gruan e tij, për vajzën e tij, që e pritën atë ditë të dilte nga deti, prej nga nuk doli dot kurrë. I kam menduar gjithë këto kohë, si vinin vërdallë nga spitali në morg, të dyja, të mpira, të hutuara, të shkatërruara. Nuk e di nëse janë ende në Shqipëri, nëse e morën trupin pas autopsisë, nëse hipën në avion, nëse shkuan bashkë me arkëmortin në Rusi dhe e varrosen babain dhe burrin prej të cilit nuk u ndanë dot.
Kërkova informacion në mënyrë informale në Ambasadën Ruse, por nuk mora dot. Doja të dija ku ishin ato të dyja. I shikoja ashtu bashkë, dorë për dore, në mes të hiçit, vetëm dhe bosh. Nuk doja interviste, doja vetëm t’i ngushëlloja. Doja vetëm t’u thosha, më falni!
Unë hyj te njerëzit që shkruaj dhe bëj emisione për turizmin prej 14 vitesh e bindur se vetëm turizmi mund të na zhvillojë dhe përmirësojë. E shoh të vetmen mundësi ndryshimi të Shqipërisë. Çdo vit që shkon më bën më shumë të besoj se kjo ditë është e afërt.
Por nuk mundesha këtë të hënë, të sillja shkrimin e javës sikur asgjë nuk ka ndodhur. Ka ndodhur një vrasje. E paparamenduar, por e paralajmëruar. Sepse një turizëm pa rregulla, një vend pa rrugë, një det pa vijë ndarëse, pa roje bregdetare, pa polici kufitare, veç tragjedi mund të sjellë. Nëse më thoni, të gjitha këto janë, atëherë përse nuk funksionojnë, ku ishin atë ditë, kush e ka fajin që ndodhi ajo vdekje?
Ai që presupozohet ta ketë shkaktuar vdekjen e turistit, thotë se në fakt e ndihmoi, Kryetari i Bashkisë së Himarës thotë se turisti po notonte në ujëra të pakontrolluara prej tij, Ministria e Brendshme thotë se i ka dërguar 6 letra Bashkisë, autoritetet e bregdetit thonë se ky është hap prapa për turizmin, shoqëria civile thotë se turistin e vrau shteti dhe askush deri më sot nuk ka thënë, as fjalën më të thjeshtë, më njerëzore në botë; më fal!
Unë këtë doja t’ju thoja, gruas së tij, vajzës së tij, me falni në emër të vendit tim.
Nuk kam lidhje, përveçse morale me këtë gjëmë që i ndodhi asaj familjeje, sepse hyj te njerëzit që e promovoj këtë vend, ku ftoj gjithkënd të vijë, se do gjejnë një copë parajsë, me bukë e kripë e zemër të bardhë, ndaj ndjej përgjegjësi të them më fal.
Më fal nuk të humb autoritetin, nuk të lë pa post, nuk të sjell dorëheqjen, më fal nuk të merr gjë, vetëm i jep atij që lëndove. Nuk jam e habitur, jam e turpëruar që askush nuk e ka shqiptuar deri më tani, një më fal për këtë vrasje pushuesi. Vdiq, iku, u harrua.
Këtë ndjesi kam pasur, edhe disa verëra të shkuara, kur një vrasës qëlloi në mes të plazhit te Kalaja, në Vlorë, të lante hesapet e emigracionit dhe vrau një pushuese shqiptare, që kishte ardhur nga Gjermania të pushonte në Vlorë. Sa herë kaloj buzë atyre shkallëve, që nuk i zbres më kurrë, pavarësisht se më pëlqen deti, më kujtohet ish- Kryetari i Bashkisë së Vlorës, që nuk i doli nga goja një më fal, pas vrasjes së një pushueseje të pafajshme, në qytetin e drejtuar prej tij, ku kishte ftuar gjithkënd të vinin e ta shijonin, në hapjen e sezonit. Jo vetëm kaq, por tha pa ia bërë syri tërrt;gjëra që ndodhin, vazhdojmë pushimet.
Është as më pak, as më shume, e njëjta gjë që po ndodh edhe tani. Hajde vazhdojmë, shohim para, gjëra që ndodhin. E vërtetë, turizmi do të vazhdojë, vrasja nuk do të mbyllë portat tona përgjithmonë, por nëse e fshehim dhe groposim do e nxjerrë kokën, një ditë, ku e kur nuk e pret, do të ndodhë sërish, do të të ndodhë ty!
Kultura e mosndëshkimit, e braktisjes së fajit, është më e keqja, më vrastarja. Ajo po na ha përditë. A nuk vrau ajo dy fëmijë të vegjël, vëlla e motër në Qerret. A dha njeri dorëheqjen? A tha njeri më fal?
Në Prizren, një vajzë e vogël, tre vjeçe vdiq nën rrënojat e një shtëpie nga ato që i ka për detyrim Bashkia t’i rrethojë e shembë, si të rrezikshme. Por nuk e bëri, dhe e vogla e pafajshme, dha shpirt poshtë tyre. Asnjë më fal, asnjë dorëheqje. Kur më thonë, të shkoj në Prizren, më kujtohet fytyra e saj, jo mbledhja e dy qeverive, as Lidhja e Prizrenit dhe nuk shkoj.
Kudo ka vrasje, madje masive, ka frikë, ka pasiguri, por e gjitha është në emër të terrorizmit , ndërsa këtej e andej kufirit ku jemi prapë ne, ndodh në emër të banalitetit. Po na ikën jeta kot. Ky komb po bëhet banal nga mungesa e rregullave, e qytetarisë, e njerëzillëkut, që merr përsipër fajin, qe thotë më fal, që jep dorëheqjen, që ndjen përgjegjësinë, që merr masa të mos ndodhin më. Këtu të vrasin sikur nuk ke qenë kurrë dhe pastaj pa pikë turpi ftojnë edhe të tjerë. Për çfarë, t’i vrasim dhe ata?
Turizmi është mbi të gjitha çështje besimi. Valbona aty ka qenë, po aq e bukur përherë, por pyetja a është e sigurt, ia mbajti njerëzit larg, aq gjatë. Tani që frika ka ikur, shko kërko hotel në Valbonë, dhe shiko a gjen dot qoftë një krevat të lirë, në fundjavë. Edhe Thethi pa drita ka qenë dhe është, rruga është po mizerje, por plot të huaj, që nuk iu ndahet zemra nga ai vend, ku njohin çdo njeri e pemë.
Pa thuaji të shkojnë në Dukagjin! Do ju kujtohet fytyra e adoleshentit të çmendur që vrau dy cekë si yje pse donte t’i vidhte celularin. Mynxyrë, damkë. Ndaj ai vend vazhdon me hashashin, se turizmin e ka qarë. Nuk të vjen kush, po nuk të besoi.
Turizmin e shet besimi dhe jo logoja e konkursit me Bruno Vespën.
Ndaj ngjarja me turistin rus, mund te mbajë larg jo thjesht rusët, por gjithë turistët, prej jugut, që ka ardhur koha të mësojë nga veriu si bëhet turizmi. Siç ka ardhur koha të mësojmë rregullin nr 1, nuk ftohen njerëz në një shtëpi që nuk është gati.
Unë hyj tek ata që e kanë bërë, kam ftuar njerëz në këtë vend pa marrë parasysh përgjegjësinë ndaj tyre, vetëm në emër të dashurisë për vendin dhe nevojës për të ndarë atë që shoh dhe pëlqej vetë. Epo unë i detyrohem një më fal dhe kjo është më e pakta, asaj gruaje e asaj fëmijë që humbën burrin e shtrenjtë të jetës, në Jon. Nuk panë emisionin tim, as më lexuan mua, por unë ndihem përgjegjëse. Se kam folur para kohe.