Mbi një milion turq janë mbledhur sot në Stamboll, në atë që duket se është demonstrata më e madhe proqeveritare prej muajit të kaluar, kur u bë përpjekje për grushtshtet në Turqi.
Kryeministri Binali Yildirim tha në këtë tubim se kleriku me seli në Shtetet e Bashkuara, të cilin qeveria turke e ka akuzuar për kryengritje, Fethullah Gulen, do të ballafaqohet me drejtësi.
“Ta dini të gjithë se lideri i këtij grupi terrorist do të vjen në Turqi dhe do të paguaj për atë që ka bërë”, tha Yildirim para masës së tubuar, transmeton REL.
Nga liderët e partive opozitare disa herë është kërkuar që t’i drejtohen masës, megjithqë Partia Demokratike Popullore prokurde, nuk ishte ftuar.
Prej puçit të dështuar më 15 korrik, dhjetëra mijëra pjesëtarë të institucioneve publike, pastaj të arsimit dhe të shërbimeve civile, janë shkarkuar dhe mijëra të tjerë janë arrestuar, derisa autoritetet e Turqisë kanë ndërmarrë goditje të fuqishme kundër puçistëve të dyshuar.
Shumica janë të dyshuar për lidhje me Gulenin, i cili i ka hedhur poshtë akuzat turke se e ka organizuar puçin e dështuar.
Gjërësia e goditjes i ka alarmuar vendet e Bashkimit Evropian dhe grupet për të drejtat e njeriut.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i ka kundërshtuar kritikat dhe është ankuar për mungesë të mbështetjes nga perëndimi.