Pas një konflikti që ka përccarë skuadrën shqiptare pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike të Rios, duket se marrëdhëniet kanë shkuar drejt acarimit. Peshëngritësi Briken Çalja , ka deklaruar paraditen e sotme, se ai nuk do të garojë, nëse Viron Bezhani nuk i kërkon falje. Këtë deklaratë Çalja e ka bërë për Top-Channel, duke krijuar në një ngjarje të paparecedentë në sportin shqiptar.
Akuzat kanë nisur ditën e djeshme kur në një postim në “Facebook”, Çalja ka publikuar një akuzë ndaj presidentit të komitetit olimpik Viron Bezhani, duke përdorur fjalë fyese për një deklaratë që sipas peshëngritësit është gënjeshtër. Bëhet fjalë për bursën olimpike që Briken Çalja ka deklaruar se nuk e ka përfituar, ndërkohë që vetë presidenti Bezhani, në një intervistë për Top Channel ka sqaruar arsyet.
“E kam thënë hapur se nuk mundet që sot për sot Brikeni të marrë bursë. Ai nuk mund të marrë bursë për shkak të dënimit që ai ka pasur. Unë nuk kam thënë që Brikenit i kemi dhënë bursë. Kam thënë Federatës i kemi dhënë bursë”, shprehet Viron Bezhani, president i KOKSH.
Sipas Bezhanit kjo është një situatë e pakëndshme mes së cilës është përfshirë në mënyrë të padrejtë një nga sportistët olimpik i cili në këtë mënyrë më tepër shpërqendrohet në prag të garës se sa i shërben atyre që e kanë nxitur.
“100% është shtyrë nga dikush tjetër. Brikeni nuk e di që ato lek nuk janë fare të Komitetit Olimpik, as të shtetit shqiptar, janë lek që vijnë nga ndërkombëtarët. Nuk është mirë, jo vetëm për Brikeni, por edhe për sportin dhe momentin ku ndodhemi ne. Vëmendja më e madhe duhet të kushtohet te stërvitja. Pritshmëria është të Brikeni dhe te Luiza,” ve ne dukje Bezhani.
Ndërkohë në prag të ceremonisë presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar shqiptar thekson se kuqezinjtë ndryshe nga e shkuara, në këto Lojëra Olimpike nuk janë thjesht për pjesëmarrje.
“Sot ne shkojmë ballë hapur edhe për të fituar. Kur them për të fituar, them për të bërë një paraqitje dinjitoze”, shprehet Presidenti i KOKSH.