Nga Albatros Rexhaj
Sot bëhen 54 vjet që nga shuarja e ikonës universale Marilyn Monroe. Ekskluzivisht për opinion.al, shkrimtari Albatros Rexhaj na sjell një rrëfim interesant për rikrijimin shqiptar të ikonës së madhe, me protagoniste modelen e njohur Amina Shena.
Isha i vogël, fillorist që sapo kishte shkelur në adoleshencë dhe po ndjente ngacmimet e para të burrërisë. Fotografitë e Marilynit i mbaja kudo dhe sa herë vinte ditëlindja ime, doja që ta kisha dikë që këngën e ditëlindjes do të ma këndonte me të njëjtin pasion dhe epsh, ashtu siç e kisha parë Marilynin duke kënduar për Presidentin Kenedi.
Në mendjen e shpirtin tim ajo ishte aq e pranishme saqë nuk mund ta pranoja faktin se kishte vdekur para tre dekadash. Dhe e di shumë mirë se nuk isha i vetmi që mendoja e ndihesha kështu. Marilyn ishte një ikonë, ajo ishte ideja burimore prapa kuptimit bashkëkohor të fjalës CLASS dhe natyrisht se atë e adhuronin pothuajse të gjithë, madje edhe ata që e shanin.
Marilyn Monroe përbën fiksimin tim të parë në jetë, ajo që turbulloi ujërat e qeta djaloshare dhe i ktheu atë në një uragan emocionesh e mendimesh që nuk u ndalën më kurrë. Prandaj, në heshtje, ashtu veç për veten time, çdo 5 gusht, e përkujtoj ditën kur, ne banorët e këtij planeti, e humbëm ikonën e parë universale të kohës së re. Por këtë vit – i motivuar nga entuziazmi i të gjithë atyre djemve dhe vajzave shqiptare që gjithnjë e më shumë po duan diçka nga jeta dhe vetja e tyre – kam vendosur që Marilynin e adoleshencës time ta përkujtoj nëpërmjet punës së disa artistëve shqiptarë që me shumë kujdes, delikatesë e pasion e rikrijuan imazhin e saj.
Fotografi Endrit Mertiri – një personazh i dyzuar mes të kontraverses dhe karizmatikes, që krahas rolit të tij si fotograf e sheh veten edhe në rolin e Mr. Handsome të avenysë shqiptare të modës, një artist i fiksuar pas biondeve dhe pas personazheve ikonë – në një editorial të veçantë tematik për revistën “Elegance” (dhjetor 2015) iu përvesh punës për të rikrijuar imazhin e Marilyn Monroe, në një version shqiptar.
Secili nga ne ka një ide sipërfaqësore të asaj se kush ishte Marilyn dhe çfarë ajo përfaqësonte, por Marilyn nuk do të ishte Marilyn sikur ajo të mos e kishte përqafuar tërësisht natyrën e vet, si në çaste të shpërthimit, por edhe në ato të tjerat kur është ndjerë e zhgënjyer dhe e thyer. Që të dy situatat i ka përjetuar si Marilyn, duke qenë vetvetja pavarësisht çmimit që ka paguar. Dhe veç duke e bërë këtë ajo diti të kthehet në një legjendë urbane. Sadoqë mund të tingëllojë kontradiktore, askush nga ne nuk mund të shndërrohet në një legjendë urbane pa qenë pikësëpari tërësisht mirëfilli i vërtetë. Marilyn reflektonte një vetëbesim të natyrshëm, si një diçka e pandashme nga tërësia e qenies së saj, prandaj ajo ndillte sensualitet, me pamjen e saj, me mënyrën se si ecte dhe mbi të gjitha me mënyrën si fliste.
Nëse e mendon kështu, atëherë shumë lehtë mund të dalësh në përfundimin se, me synimin e tij për të rikrijuar Merilinin, Endriti i kishte vënë vetes një sfidë sa artistike, po aq edhe filozofike. Dhe sadoqë mund të duket si diçka lineare, të rikrijosh një Marilyn nuk është gjë e lehtë, aq më tepër kur artiste të mëdha si Madonna, Mariah Carey, Scarlett Johansson, Michelle Williams, Nicki Minaj, Lady Gaga e deri te Rihanna janë përpjekur që ta rikrijojnë jo vetëm veçantinë e flokëve të saj bionde, të kuqen e ndezur të buzëve, por edhe magnetizmin sensual që Marilyn ka projektuar pa asnjë lloj sforcimi.
Derisa nuk kam parë punën që Endriti ka bërë me modelen Amina Shena, protagoniste e shumë editorialeve tematike për revista të ndryshme, nuk kam besuar se dikush mund të krijojë një Marilyn Monroe shqiptar. Por Amina, me buzët e saj të holla, që sikur janë krijuar enkas për buzëkuqin më të mirë, hundën e saj delikate, mollëzat e bajamet e saj të veçanta, natyrshëm krijon një simetri të përsosur dhe shumë të veçantë, por mbi të gjitha me energjinë që ajo përçon, në këtë editorial tematik, e rikrijon pikërisht detajin më pikant të Marilynit: magnetizmin e saj të natyrshëm sensual.
Njëlloj si Marilyn dikur, edhe Amina na bën për vete!
Dhe Amina nuk do të mundej kurrë të realizonte një transformim kaq të fuqishëm sikur të mos e kishte ndjerë esencën e të qenit Marilyn: edhe bukuria peshon, madje peshon rëndë.
Ikonat si Marilyn Monroe dhe Elisabeth Taylor janë dëshmi të asaj se pos aromë eteri, bukuria është edhe diçka që rëndon dhe pikërisht ky detaj bën dallimin në mes të një bukurie që të kalon shpejt para sysh apo të një bukurie class që të ngulitet në shpirt.
Në këtë editorial tematik për Marilyn Monroe, Amina Shena ka demonstruar se edhe bukuria shqiptare mund të ketë rëndesë, prandaj, përtej imazhit të Marilynit që na shfaqet përmes aparatit të Endrit Mertirit, te ky editorial tematik Amina Shena përçon edhe rëndesën specifike të bukurisë shqiptare. Pavarësisht se çfarë mendojmë për veten, ne shqiptarët megjithatë jemi një racë e bukur dhe është veçse çështje kohe derisa një ikonë alla Marilyn do të dalë nga gjiri unë.
Por, të mos kemi asnjë dyshim, kjo do të vonojë përderisa ne, si shoqëri, nuk e pranojmë si të natyrshëm faktin se bukuria e një femre, por edhe ajo e një mashkulli, po aq sa është cilësi fizike, mbase dy herë më shumë është ndjesi shpirtërore.
“Nëse mund ta bësh një femër të buzëqeshë, atëherë mund të bësh gjithçka” ka thënë Marylin.
Sa e vërtetë është kjo! Nuk ka formulë tjetër që mund ta shpërfaqë më të hijshmen e bukurisë shqiptare, tani të ngulfatur në kthetrat e një provincializmi helmues.
Po të ishte gjallë, Marilyn tani do të ishte 90 vjeç, por nuk kam asnjë dyshim se pavarësisht moshës do të vazhdonte të rrezatonte po të njëjtin magnetizëm seksual, do të ishte një dëshmi e gjallë se edhe në moshë të shtyrë mund të jetojmë bukur dhe të ndjehemi seksi.
© Opinion.al
Marilyn Monroe (1926-1962)
Amina Shena në rolin e Marilyn. Kjo foto konsiderohet si paraqitja më e mirë e Aminës në këtë editorial.
Madona, këngëtarja me famë botërore, në coverin e revistës Vanity Fair duke rikrijuar imazhin e Marilyn Monroe.
Amina Shena në rolin e Marilyn. Sipas Aminës në këtë foto shpërfaqet aroma CLASS e Marilyn Monroe.
Amina Shena si Marilyn Monroe, por në një pozë tipike shqiptare.
Amina Shena në një pozë tipike alla Marilyn.