Nikollë Gegaj, Halil Dukoviç si dhe Ljubo Shkrelja, deputetë të Partisë Demokratike Socialiste (DPS) në Parlamentin malazez, kanë rënë pre e sulmeve serioze në rrjetet sociale mbrëmjen e djeshme.
Ata janë kërcënuar me vdekje, pasi nuk kanë përkrahur në Parlament, propozimin e partive kombëtare shqiptare për organizimin e ri territorial të Malit të Zi, sipas të cilit rajoni i Malësisë me qendrën Tuzi, do të shndërroheshin në komunë të veçantë, raporton Anadolu Agency.
Kërcënimet në adresë të deputetëve të DPS-së, i dënoi sot kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Darko Pajoviç. Gjithashtu dhe Partia Demokratike e Socialistëve ka dënuar kërcënimet e drejtuara deputetëve shqiptarë, përmes rrjeteve sociale.
Në profilin e Facebook-ut, Malësia-Tuzi, bashkangjitur fotografive të tre deputetëve me litar rreth qafe është publikuar edhe një “lajmërim për të vdekur” në gjuhën shqipe në të cilin thuhet se “tre deputetët kanë vdekur tragjikisht sepse ata janë armiqtë dhe tradhtarët më të mëdhenj të kombit shqiptar” dhe se duhet vrarë.
Kujtojmë këtu se Parlamenti i Malit të Zi refuzoi javën e kaluar miratimin e ndryshimeve në ligjin për ndarje territoriale, propozues të së cilës janë partitë shqiptare të cilat kishin propozuar që komuna urbane, Tuzi, të fitojë status fuqiplotë të komunës.