Policia e Tiranës njofton për finalizimin e një operacioni antidrogë të quajtur “vera 2016”, ku kanë rënë në pranga dy persona të cilët shpërndanin drogë në kryeqytet.
Sipas policisë, të arrestuarit shpërndanin heroinë në zona të njohura të kryeqytetit, teksa janë shpallur në kërkim edhe dy bashkëpunëtorë të të arrestuarve, emrat e të cilëve nuk bëhen publikë për arsye hetimit.
Droga e sekuestruar në kuadër të këtij operacioni në tregun europian shkon në vlerën rreth gjysëm milion euro.
NJOFTIMI I PLOTË:
Policia e Tiranës ka kyer një tjetër goditje kundër trafikimit dhe shitjes së lëndëve të forta narkotike duke arrestuar 2 persona, shpallur në kërkim 2 të tjerë dhe kapur rreth 5.1 kg heroinë.
Operacioni i koduar “Summer 2016” u finalizua sot rreth orës 15:30.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Policinë e Tiranës arriti përmes një hetimi intensiv 2-mujor në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit gjyqesor Tirane, të dokumentojë veprimtarinë kriminale dhe të arrestojë në flagrancë 2 shtetas për veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim” si dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”.
Të arrestuar janë shtetasit: – Fadil Bami, lindur dhe banues në Nikel të Krujës, dhe – Eduart Gjata, 39 vjeç, banues ne Tiranë.
Arrestimi i tyre u krye në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, ku rezultonte se shtetasit Fadil Bami dhe Eduart Gjata në bashkëpunim me njëri-tjetrin kryenin aktivitet kriminal të shitjes së lëndëve narkotike, kryesisht Heroinë, në zonën e ish-Parkut të Autobuzave dhe Unazës së Re, në kryeqytet.
Nisur nga këto rrethana, agjentet e operacioneve speciale dhe antidroges, te cilet i mbanin nën vëzhgim të dyshuarit, i ndaluan në një lokal në brendësi të nje kompleksi pallatesh të te reja ne zonen e ish parkut ne momentit qe po kryenin shkembimin e shitjen e lendes narkotike.
Nderkohe ne kerkim jane dhe dy bashkepunetore te tjere te cilet jane te identifikuar nga ana jone. Nga kontrolli i ushtruar në çantën që kishin me vete u konstatuan 10 pako të mbështjella me natriban me ngjyrë kafe dhe qese plasmasi transparente, me lëndë narkotike te dyshuar Heroinë.
Lënda narkotike e sekuestruar në kuadër të këtij operacioni në tregun europian shkon në vlerën rreth gjysëm milion euro.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Fadil Bami, u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatik dhe dy krehëra me fishekë, gjithashtu u sekuestrua edhe 1 automjet tip “Volswagen”.
Materialet e mësipërme do t’i dërgohen Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për veprat penale“Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajte pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.