Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ka zbuluar disa detaje se çfarë rruge duhet të ndjekin ata futbollistë që duan të veshin fanellën e kësaj përfaqësueseje.
Në një intervistë të dhënë për televizionin “RTV 21”, Vokrri ka thënë se lojtarët që duan t’i bashkohen Kosovës duhet të bëjnë një kërkesë në FIFA bashkë me Federatën.
“Në mënyrë indirekte na është thënë se duhet që secili lojtarë që dëshiron ta vesh fanellën e Kosovës, bashkë me FFK-n ta bëjnë kërkesën në FIFA dhe më pas shtëpia e futbollit botëror vendos nëse lojtari në fjalë mund të luajë për Kosovën”,-tha Vokrri në emisionin “2me1”.
Sipas mediave të Kosovës lojtarët shqiptarë që nuk kanë prejardhje nga Kosova kanë pak gjasa për t’u lejuar nga FIFA. Kjo çështje pritet të sqarohet në mënyrë përfundimtare në fund të muajit gusht, ndërkohë që në shtator nis edhe faza e eliminatoreve të Botërorit “Rusi 2018”./Panorama