Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto çuditërisht ka folur për grabitjen e parave në aeroportin e Rinasit.
Haxhinasto ka thënë se po pret hetimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku sipas tij, do të zbardhen përgjegjësitë sipas detyrave funksionale.
Por ajo çka u vu re ditën e sotme, për një sy të vëmendshëm, ishte fakti se i njëjti ministër në kohën kur ndodhi aksidenti tragjik në aksin rrugor Rogozhinë-Kavajë, ku humbën jetën dy fëmijë të mitur, nuk denjoi të japë asnjë deklaratë në lidhje me përgjegjësinë si drejtues i një ministrie që duhej të ishte përgjegjëse, nëqoftë se jo ligjore, të paktën morale për gjendjen katastrofale të cilësisë së rrugëve dhe menaxhimit të tyre.
Sigurisht vdekja nuk ka aq shumë lidhje me parat. Siç thotë populli paraja çon ujin përpjetë, paraja të hap dhe gojën.
Megjithatë, në rrugë nuk humbën para, por dy jetë njerëzish, dy fëmijë të mitur. Pavarësisht kësaj, ministri heshti. Haxhinasto e dinte mjaft mirë për përgjegjësinë e tij, si dhe detyrat e kryera nga ai.