Nuk janë vetëm Cristiano Ronaldo dhe Gareth Bale në garë për “Topin e Artë”. Sipas asaj që shkruaj revista e përjavshme franceze “France Football”, ajo që themeloi këtë çmim të cili tani e organizon bashkë me FIFA, ka zgjedhur listën e kandidatëve për të zëvendësuar Lionel Messi në fronin e futbollistit më të mirë. Dy emrat e rinj në listë janë ajo të Antoine Griezmann dhe Toni Kroos. Emëruesi i përbashkët është që të katër kanë shkuar në gjysmëfinalet e Euro 2016 dhe kanë arritur deri në finalen e Champions League.
Cristiano Ronaldo dukej favoriti, duke parë ortekun e golave (16), me të cilët ndihmoi Real Madrid në ecurinë e tij në Europë. “Ylli” i Portugalisë nuk ka shkëlqyer në këtë kampionat europian. “Nuk ka bërë asgjë të jashtëzakonshme, – shkruan “France Football”. – Ndonjëherë duket se luan më shumë për veten e tij sesa për shokët e skuadrës.”
“France Football” ngrohet edhe kandidaturën e Antoine Griezmann, sulmuesi i Atletico Madrid të drejtuar nga Simeone, që ndryshe nga tre rivalët e tjerë nuk e ka fituar trofeun e Champions League. “I lodhur në fillim të turneut, u zgjua dhe u bë lideri i “gjelave”, – tregohet në artikull. – Nëse do të bëj dy paraqitje shembullore ndaj Gjermanisë dhe në finale, atëherë do të ketë dy argumente më shumë në favorin e tij.”
Gareth Bale, autor i tre golave në Euro 2016, është etiketuar si pasardhësi i CR7 te Real Madrid dhe pse pak ditë më parë pranoi vetë se është shumë larg sfidës direkte me portugezin. “Mënyra si Bale tregohet lider i Uellsit është krejtësisht ndryshe nga ajo që ndodh me Cristiano Ronaldon te Portugalia. Eshtë e vështirë, por nëse Uellsi del kampion Europe, atëherë Bale do të jetë “Topit i Artë” – lexohet te “France Football”.
Në fund “France Football” shkruan: “Po si kur ta fitojë Toni Kroos trofeun? Edhe pse nuk është “yll” shumë i shndritshëm është lideri i mesfushës se Realit dhe Gjermanisë dhe i ka të gjitha cilësitë për të fituar “Topin e Artë”. Pas zhgënjimeve të Sneijder dhe Iniesta në vitin 2010, gjermani mund të shënojë hakmarrjen e mesfushorëve.” Në tre vitet e fundit, Kroos ka fituar dy herë Champions League dhe një herë Kupën e Botës, Euro 2016 do të ishte pa diskutim qershia mbi tortë.