U habitën të gjithë kur Bayern Munich pagoi para pak javësh 35 milionë euro për ta blerë nga Benfica, Renato Sanchesin.
Mesfushori 18-vjeçar luajti kundër Polonisë ndeshjen e parë si titullar në Euro 2016 dhe menjëherë ka thyer dy rekorde.
I pari duke luajtur kundër Polonisë u bë portugezi më i ri në histori që luan titullar në një turne madhor, rekord që mbahej nga Cristiano Ronaldo.
Rekordi i dytë lidhet me golin e shënuar prej tij, sepse do të thotë se Renato Sanches është shënuesi më i ri në historinë e Kampionateve Evropiane, pas fazës së grupeve.
Ai u shpall po ashtu ‘Lojtari i ndeshjes’ nga Uefa.com kundër Polonisë.
Por mënyra se si ai kaloi te Benfica ishte një histori në vete. Thuhet se Benfica e ka siguruar duke i dhuruar 25 topa skuadrës së Aguias Musgueira, klub i vogël i Lisbonës, që mbledh fëmijët e rrugës.
Por e vërteta, e zbuluar kohët e fundit nga një prej drejtuesve të klubit të vogël, është se Renato Sanches është paguar vetëm 750 euro.
Tani është e qartë që Aguias të kërkojë një lloj dëmshpërblimi, por kjo është një histori tjetër.
Me pak fjalë, nga 750 eurot plus 25 topa te 35 milionë eurot e paguar nga Bayern.