E nderuar Arbjola!
Meqë e ndjemë nëpër rreshtat e statusit tënd në FB shqetësimin tënd për lajmin e botuar dje nga ne, mendojmë se duhet t’i themi dy fjalë.
Jo për shkak se meriton vëmendje statusi dhe reagimi yt, por kur thellësia e mendimit dhe gjykimi yt bashkohen në një fjali është e pamundur të heshtësh….ose të mos qeshësh të paktën.
Kur ti thua që banorëve të Dumresë i janë hequr dritat sepse ti do mbroje te drejtat e tyre në parlament,nuk e kuptojmë pse shqetësohesh kur kjo, fjalë për fjalë, është përshkruar kështu në lajmin tonë.
Këtij pushteti të korruptuar padyshim që do t’i vijë fundi nga fjalimet dhe hartime që ti dhe shoqet e tua recitoni në parlament apo dhe FB dhe Instagram
Nuk e kuptojmë shqetësimin tuaj zonjë e nderuar as kur matni thellësinë e mendimit dhe gjykimit tonë, diçka për të cilën ne realisht besojmë se ju mund ta bëni vetëm nëse na tragoni mekanizmin e matjes.
Është në nderin tonë që një deputete e parlamentit më cilësor që ka patur ndonjëherë Shqipëria, të masë forcën e inteligjencës dhe logjikës me gazetarë të thjeshtë që nuk e kanë luksin të jenë vendimmarrës. Por na duhet t’ju kujtojmë që katandisja në këtë situatë kriminale e parlamentit dhe korrupsioni i pandëshkuar, ndodh pikërisht sepse në opozitë jeni ju e nderuar zonjë.
Që shqetësoheni për “aleancat femërore të gazetarëve”, ndërsa harroni që në grupin tuaj femëror demokrat janë shqetësim flokët dhe këpucët.
Dhe në fund, përpara se të nisni seriozisht procesin e matjes së thellësisë së mendimit tonë do t’ju bëjmë një kujtesë.
Shumë vite më parë, në opozitën e varfër që zgjati deri në 2005, në Partinë Demokratike që ju përfaqësoni, kishte shumë herë më pak njerëz, miq dhe mbështetës.
Por vetëm me një vështrim të fotove të atyre që ishin pjesë, do e kuptoni se sa e thellë ishte opozita asokohe, se sa e thjeshtë ishte ta godisje, por kurrsesi ta tallje. Dhe me vetëm pak sforcim e kupton se sa qesharake është bërë sot, në ditën kur thellësia e mendimit të parlamentarëve të saj nuk i afrohet as një gote bosh.
P.s fjalia e fundit nuk ka lidhje me persona të veçantë.
Me respekt, stafi i Opinion.al
Si më posht vijon, është lajmi i botuar një ditë më parë në lidhje me statusin e deputetës së PD-së, Arbjola Halimi.
Titulli: Rama dhe OSSHE bllokojnë deputeten Arbjola Halimi
Të paktën kështu pretendon në një postim të saj ne FB deputetja demokrate.
Sipas zonjës Halimi, në zonën e Dumresë të cilën ajo e përfaqson dhe në parlament, kanë ikur dritat pak para se ajo të merrte fjalën në seancën e sotme të Kuvendit.
Edhe pse operatori i shpërndarjes prej një jave ka njoftuar kufizime për shkak të riparimit të rrjetit, Arbjola Halimi është e bindur se ky ka qenë një veprim i qëllimshëm.
Se çfarë deklarate të rëndësishme do të bënte deputetja në parlament, këtë vështirë ta thonë edhe ata që patën mundësi ta dëgjonin.
Por ajo që vlen të përmendet është që pavarësisht ngjarjeve që ndodhin parreshtur në këtë vend, ka ende politikanë që besojnë se shqiptarët janë të interesuar të dëgjojnë fjalimet e tyre në tv.