Ish-futbollisti i Gjermanisë, Lothar Matthaus, ka bërë analizën e tij taktike në lidhje me Kampionatin Europian, për “SunSport”. Sot, kapiteni legjendar i Gjermanisë, me plot 150 ndeshje me kombëtaren, hedh shikimin e tij në drejtim të përballjes së ditës, në 1/8, mes Portugalisë dhe ekipit surprizë të turneut, Kroacisë. A do t’i japin tempin e lojës sot dy mesfushorët klasikë të Kroacisë, Ivan Rakitic dhe Luka Modric? Apo do të mundë ylli i Portugalisë dhe Real Madrid të riaplikojë ndonjë nga magjitë e tij individuale?
“Sipas meje, Kroacia ka qenë ekipi më i mirë në fazën e grupeve. Ata ishin të shkëlqyer, shumë të fortë, taktikisht shumë të mirë dhe kanë luajtur mirë në të tre ndeshjet. Përjashtim bëri 10 minutëshi i fundit në ndeshjen kundër Republikës Çeke, kur Kroacia humbi përqendrimin pasi tifozët e tyre hodhën flakadanë në fushë. Ajo gjë shkatërroi mendjet e tyre, duke humbur kështu kontrollin, për të barazuar në shifrat 2-2. Por, secili futbollist, në çdo pozicion është kualitet. Shumë prej tyre luajnë për klube të mëdha, duke qenë lojtarë kyç. Ata kanë shumë futbollistë të shpejtë, si Ivan Perisic, sikurse pamë ndaj Spanjës dhe në mënyrë të argumentueshme, kanë sulmin më të mirë në këtë turne”, u shpreh Matthaus.
“Trajneri i Kroacisë, Ante Cacic e di, sikurse dëshmuan në fitoren 2-1 të martën ndaj Spanjës, se ka një skuadër që mund të luaj e tëra në nivelet më të larta, jo vetëm formacioni titullar. Ajo që do të bëjë një diferencë të madhe është nëse futbollisti i Real Madrid, Luka Modric do të luajë, pasi ai është lojtari kryesor, ndaj shpresoj që të luajë. Nëse ai luan, atëherë kjo do të jetë në favor të Kroacisë, nëse ai nuk luan, atëherë në rolin e tij do të aktivizohet Mateo Kovacic ose Marko Rog, por në të vërtetë, Modric është ai që mund të bëjë diferencën”, deklaroi kapiteni legjendar i Gjermanisë, tashmë në cilësinë e opinionistit për “The Sun”.