Ndërsa të gjithë shikonin me vëmendje maksimale ndeshjen Shqipëri-Francë, një qen Pitbull, ka sulmuar një prej punonjësve të bashkisë së Durrësit, në sheshin qendror ku edhe ndiqej ndeshja.
Punonjësi i bashkisë ka qenë në krye të detyrës, kur u sulmua nga Pitbulli i rrezikshëm. Qytetari kishte mbërritur për të ndjekur ndeshjen së bashku me qenin e tij të pa maskuar, para sheshit. Si rezultat i sulmit nga qeni, punonjësi i bashkisë me detyrë roje, ka përfunduar me pesë të qepura në urgjencën e spitalit të Durrësit.
Për shkak se është në varësi të bashkisë i dëmtuari nuk ka dashur të identifikohet, por tha se pas mjekimit në urgjencë, nuk kishte me vete as 10 mijë lekë të vjetra për të blerë tetanosin, i cili bëhet pas kafshimit nga kafshët.
Pronari i qenit Pitbull u largua menjëherë me shpejtësi pas kafshimit të 50-vjeçarit, e nuk i dha as ndihmën e parë. Jo vetëm qentë e rrugës, por edhe ata shtëpiakë të racave të rrezikshme shëtisin të lirë e pa asnjë masë mbrojtëse në Durrës. Këtë radhë pre e sulmit ra një roje, nëse do ishte zyrtar i lartë i bashkisë, masat a do të ishin më të ashpra ndaj kafshëve dhe pronarëve të tyre?