Një person ka hedhur një pajisje shpërthyese të përgatitur vetë, në Aeroportin Ndërkombëtar të Shangait, raportojnë zyrtarët kinezë.
Autori i sulmit ka hedhur një shishe që përmbante eksploziv që shpërtheu pranë zonës së “check-in” në terminalin dy, duke lënë të plagosur katër persona.
Pas sulmit autori ka tentuar të kryejë vetëvrasje me anë të një thike, me të cilën është përpjekur të presë fytin.
Katër të plagosurit kanë marrë plagë të lehta dhe po trajtohen në spital, ndërsa autori i sulmit, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.