Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Dhurimit të Gjakut, ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli iu bashkua nismës së Forcës Tokësore, Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut dhe Kryqit të Kuq Shqiptar për të dhuruar gjak për njerëzit në nevojë.
Në Qendrën Shëndetësore të Komandës së FT në Zall–Herr ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, dhuroi gjak bashkë me efektivët e Forcave Speciale, Batalionit Komando, Batalionit të Mbështetjes me Luftim, Batalionit të Dytë të Këmbësorisë, të cilëve iu bashkua edhe gjenerali i Forcës Tokësore, gjeneralbrigade Nazmi Cahani. “Fal jetë duke dhuruar gjak”, “Dhuro gjak, fito një jetë”, “Nga unë tek ti, një dhuratë për jetën” ishin disa nga thirrjet në ambientet e Forcës Tokësore që kanë motivuar efektivët e Forcës Tokësore për të dhënë kontributin e tyre special për njerëzit në nevojë dhe si një apel për të gjithë qytetarët që t’i bashkohen kësaj nisme që shpëton jetë.
Dhurimi i gjakut për njerëzit në nevojë tashmë është bërë traditë në Forcat e Armatosura. Gjatë këtij viti kanë dhuruar gjak mbi 600 ushtarakë dhe civilë që punojnë në komandat dhe njësitë vartëse të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura./Ekspress