Lirimi i Shuaip Zhukaj, edhe pse ai duhet të ishte ekstraduar në Kosovë, ku ishte i dënuar me 20 vjet burg për vrasje, ka sjellë shkarkimin e drejtorit të burgut të Shënkollit.
Kant Ndoji u shkarkua me urdhër të ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani. Ndoji u shkarkua nga Manjani për neglizhencë në detyrë. Në vend të tij është emëruar Gëzim Rama.
Shuaip Zukaj, me të mbaruar dënimin e marrë në Shqipëri, për akuzën e plagosjes së një shtetasi nga Kosova në vitin 2000, në Shëngjin, është lënë i lirë.
Por në kartelën e tij personale ndodhej vendimi i formës së prerë, dhënë nga Gjykata në Shqipëri, që me përfundimin e dënimit, ai duhej të ekstradohej në Kosovë, ku ishte dënuar me 20 vjet burg për vrasjen në vitin 2011, të Zyber Derishajt dhe plagosjen e Adil Thaçit.