Prokuroria e Tiranës është në pritje të informacionit që ka kërkuar nga misioni i Policisë italiane, “Interforce”, në Tiranë në lidhje me pajisjen e përgjimit “IMSI Catcher”.
Në kuadër të procedimit penal të nisur për “shpërdorim detyre”, grupi i hetimit i Prokurorisë kërkoi më 13 maj informacion zyrtar nga “Interforce”.
Burimet e organit të akuzës thanë dje se ende nuk kanë marrë informacionin që hetuesit kanë kërkuar pas nisjes së hetimit kryesisht. Letra e dërguar javën që shkoi nga ishdrejtori i Policisë italiane, Alessandro Pansa, siç ka deklaruar edhe më herët Prokuroria e Tiranës, nuk është marrë si provë në këtë çështje.
Burimet e organit të akuzës kanë thënë dje se letra në fjalë duket se ka qenë një iniciativë personale e ishkryepolicit italian Alessandro Pansa, i cili ka shprehur mendimet e tij personale.
“Letra është përcjellë në prokurori nga ambasada e Italisë në Tiranë, por është pa datë, pa firmë dhe pa vulë. Letra përmban mendimet personale të ishdrejtorit të Policisë italiane, Alessandro Pansa”, thanë burimet e Prokurorisë.
Sipas tyre, kërkesa për informacion që grupi i hetimit i ka nisur misionit “Interforce”, përmban një listë me pyetje që kanë të bëjnë me elementë që nuk janë sqaruar nga letra informale e ishkreut të Policisë italiane.
Për këtë arsye, burimet e Prokurorisë thanë se janë në pritje të përgjigjeve të kërkuara nga misioni i Policisë italiane në Tiranë, “Interforce”. /Panorama