Një ndër tre vajzat e abuzuara seksualisht në Qendrën Rezidenciale të Fëmijëve në Shkodër dha një dëshmi tronditëse para prokurorëve.
Më pak se 12 vjeç, ajo tha se është abuzuar seksualisht në ambientet e Qendrës nga një djalë pak më i madh në moshë. Këtë fakt ia ka treguar drejtoreshës së institucionit.
Reagimi i Albana Llazanit ka qenë edhe më tronditës, se sa rrëfimi i vajzës së dhunuar.
Ajo ka marrë një thupër dhe e ka rrahur, duke e detyruar të mbyllë gojën dhe të mos flasë.
Albana Llazani, ish-drejtoresha tashmë e arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Shkodrës, është vënë në dijeni se kush ishte djali që kishte abuzuar seksualisht me të miturën dhe ka kërkuar me insistim që ta mbyllë këtë çështje pa zhurmë.
E mitura, e tronditur nga kjo ngjarje, ka dëshmuar para prokurorëve, në shoqërinë edhe të psikologut, detajet e veprimeve të dhunshme të agresorit ndaj trupit të saj të paformuar.
Ekspertiza mjeko-ligjore ka provuar se e mitura është e defloruar (zhvirgjëruar) pa arritur ende moshën e pjekurisë seksuale.
Ky skandal i rëndë është munduar të mbahet i fshehtë dhe është zbuluar vetëm gjatë hetimeve të nisura për keqtrajtime ndaj të miturve në qendrën e fëmijëve në Shkodër.
Të miturit, gjithnjë nën shoqërinë e psikologut, kanë dëshmuar se kujdestaret e Qendrës iknin me orë të gjata nga institucioni, duke i lënë fëmijët vetëm.
Gjatë kësaj periudhe pa kujdestarë, fëmijët meshkuj të moshës më të madhe i detyronin më të vegjlit të shihnin filma “me pullë të kuqe” në platformën dixhitale televizive që kishin në Qendër.
Për më tepër, të miturit detyroheshin që të kryenin të njëjta veprime me ato që kryenin personazhet në filmat për të rritur.