Tifozët e Dinamos së Zagrebit, Djemtë e Këqij Blu, mblidhen çdo vit më 13 maj për të ndezur qirinj dhe vënë kurora në një monument të shokëve të tyre, të cilët u vranë gjatë luftës së viteve 1990 – dhe për të shënuar përvjetorin e lojës më të diskutueshme në historinë e klubit , ndeshja kundër Yllit të Kuq të Beogradit në stadiumin “Maksimir” ku në vitin 1990 shpërtheu një protestë.
Përleshja me tifozët e Yllit të Kuq në ndeshje kanë marrë një status ikonik për Djemtë e Këqij Blu, të cilët e shohin atë si përplasjen e parë të luftës që shpërtheu vitin e ardhshëm, pas shpërbërje së Jugosllavisë.
Ata madje kanë ngritur edhe një monument para stadiumit me mbishkrimin: “Për të gjithë tifozët e Dinamos, për të cilët lufta filloi më 13 maj 1990 dhe përfundoi me ata që dhanë jetët e tyre në altarin e atdheut kroat.”
Dario Brentin nga Universiteti i Grazit në Austri, një ekspert mbi sportin dhe nacionalizmin në Kroaci, tha për BIRN se dhuna në ndeshje më pas u shndërrua një nga “mitet themelues të kombit kroat”, një ngjarje që “është ‘ngulitur’ thellë në kujtesën shoqërore”.
Këtë vit, në prag të përvjetorit, Radio-Televizioni publik kroat, HRT, transmetoi një dokumentar rreth trazirave, “Lufta për atdhe filloi në Maksimir”, i cili transmetoi teori të pabaza se shërbimet sekrete jugosllave dhe shefat e policisë serbe ishin përgjegjës për dhunën.
Trazirat në ndeshjen erdhën një javë pasi krahu i djathtë i Franjo Tudjman, Partia kroate e Bashkimit Demokratik, HDZ, fitoi të parat zgjedhje të lira parlamentare në Kroaci, dhe dokumentari përmban pretendimet se kjo ngjarje mund të jetë orkestruar për të krijuar kaos dhe destabilizuar autoritetet e reja në Zagreb.
Drejtori i saj Miljenko Manjkas, i cili ishte analist mediatik i Tudjmanit dhe tani është këshilltari i medias për kreun e HDZ-së, Tomislav Karamarko, përsëriti pretendimet në një artikull në gazetën kroate Vecernji List të dielën, duke thënë se policia, të cilët komandoheshin nga një serb, i rrahën të gjithë përveç mbështetësve të Yllit të Kuq, të cilët ai tha se “ishin ata që nisën trazirat”.
Ndeshja në maj të vitit 1990 ishte një ndeshje për kampionatin jugosllav të futbollit, dhe dhuna ishte shpërthyer nëpër rrugët e Zagrebit që para se ajo të niste mirë, pasi më shumë se 2,000 përkrahës serbë nga grupi i tifozëve Delije të Yllit të Kuq mbërritën në kryeqytetin kroat me tren.
Delije u përlesh me Djemtë e Këqij Blu dhe tifozë të zakonshëm të Dinamos, por sipas perceptimit popullor në Kroaci, policia, e cila besohet se kishte kryesisht serbë, mori masa vetëm kundër kroatëve.
Brentin vuri gjithashtu në dukje se edhe pse Djemtë e Këqij Blu e konsideronin trazirën si fillimin e luftës, pas kësaj u luajt edhe një tjetër sezon i futbollit jugosllav, dhe ojtari i Dinamos së Zagrebit, Zvonimir Boban, i cili qëlloi me shkelm një polic që po sulmonte një tifoz gjatë trazirave vazhdoi të luante për kombëtaren jugosllave deri në vitin 1991, kur përleshjet e para të armatosura kishte shpërthyer tashmë.
Ndeshja Dinamo – Ylli i kuq ishte e rëndësishme, sepse ajo radikalizoi më tej shoqërinë kroate në atë kohë, tha Brentin, duke krijuar një “version tonin dhe të tyren” dhe duke sugjeruar se përdorimi i dhunës ishte “një mënyrë legjitime për të zgjidhur problemet dhe konfliktet”.
Por ai tha gjithashtu se Djemtë e Këqij Blu mbajnë gjallë kujtesën e tij, sepse ajo i nxjerr ata nga “sfera e huliganizmit” dhe i portretizon ata si qytetarë të nderuan që mbrojnë interesat e vendit.
Këndvështrimi nga Beogradi
Në Serbi, ndeshja në Maksimir mbahet mend gjithashtu mirë, e zhvilluar menjëherë pas zgjedhjeve që sollën në pushtet HDZ të krahut të djathtë në Kroaci – një moment kur njerëzit filluan të kuptonin se Jugosllavia mund të shpërbëhej vërtet, sipas gazetarit sportiv nga Beogradi Vladimir Novakoviç.
Në Serbi pati gjithashtu fjalë se dhuna ishte e planifikuar, por nga autoritetet kroate.
“Në publikun e gjerë serb, shumë vëmendje iu dha faktit se gardhi në anën veriore të stadiumit (aty ku rrinin tifozët e Dinamos) u shkel lehtë dhe besohet se një natë më parë mbi gardh u hodh acid, i cili konsiderohet si një provë e madhe se i gjithë incidenti u organizua nga qeveria e re kroate,” shpjegoi Novakoviç.
Anëtarët e Djemtë e Këqij Blu dhe Delije e Ylli i Kuq shkuan të luftonin në luftërat që shpërthyen nga viti 1991 e në vazhdim. Disa nga Delijet iu bashkua me njësinë famëkeqe paraushtarake të komanduar nga Zeljko Raznjatoviç, i njohur ndryshe si Arkani, i cili drejtoi një shoqatë të mbështetësve të Yllit të Kuq para konfliktit.
“Vetëm disa prej tyre do të ktheheshin në stadium ( disa u vranë ose plagosën, të tjerë kishin përparësi të tjera). Nga viti 1994, shumica e ultrasve të Yllit të Kuq ishin anëtarë të një brezi më të ri, të cilët këmbëngulën për të shkëputje të pastër nga paraardhësit e tyre dhe sidomos iu kundërvunë Millosheviçit dhe Arkanit,” tha Novakoviç.
“Ndër ta sot Maksimiri konsiderohet kryesisht si një konflikt i rremë, i para-planifikuar nga secila qeveri, me qëllim të promovonin axhendat e tyre,” shtoi ai.
Novakovic tha se në Serbi ka pasur gjithashtu thashetheme në lidhje me përfshirjen e dyshuar të shërbimeve sekrete jugosllave në dhunën në Maksimir, “të cilët planifikonin të përdornin konfliktin etnik në stadium të transmetuar në televizion si një paralajmërim kundër nacionalizmit”.
Megjithatë, ai theksoi: “Nëse ai plan ishte i vërtetë, atëherë ai dështoi.”
Dokumentari i Manjkas ndërkohë tregon historinë nga një perspektivë kroate, duke sugjeruar se tifozët e Dinamos dhe vetë qeveria e re e Zagrebit mund të ketë qenë viktimë e një komploti të përfolur jugosllav/serb.
Regjisori tha për Vecernji list se një numër njerëzish që shfaqen në dokumentar mbështesin idenë se trazirat ishin të para-planifikuara, përfshirë edhe “burimet sllovene dhe presidentin slloven Milan Kuçan, lidershipi i policisë, i drejtuar nga një serb, Petar Djkukiç,dhe anëtarë të policisë kroate dhe shërbimet e inteligjencës”.
Manjkas gjithashtu pohoi se ai zbuloi informacione të tjera pak të njohura më parë – se Boban nxori me shkelma një polic pasi ai ishte sulmuar nga një tjetër oficer, dhe se Arkani ishte ulur në stol me rezervat e Yllit të Kuq.
Një dokumentar rreth trazirave, “E dielë data 13” me regji të kroatit Igor Grahovaç dhe prodhuar nga Produkcija B, bashkë me Al Jazeera, HRT-në dhe televizionin publik serb RTS, i cili u shfaq vitin e kaluar, kërkoi të demaskonte disa nga mitet që janë mbledhur deri tani rreth ndeshjes në vitin 1990 dhe që vazhdojnë të qarkullojnë edhe sot.
Edhe Manjkas pranoi se nxitësit e vërtetë të trazirave janë ende të panjohur, edhe 26 vjet më vonë, dhe se ndikimi i tyre në konfliktin që pasoi mbeten ende një çështje pa përgjigje.
“Shikuesit do të arrijnë vetë në përfundimin në fund të tij nëse lufta nisi apo jo në Maksimir,” tha ai./Reporter.al