Ka përfunduar mbledhja e grupit parlamentar të PS-së, me pjesëmarrjen edhe të ambasadorëve të BE-së dhe SHBA-ve, Romana Vlahutin dhe Donald Lu. Kjo mbledhje me dyer të mbyllura. Ambasadori amerikan, Donald Lu ka folur pas mbledhjes me grupin parlamentar të PSsë duke theksuar rëndësinë që ka reforma në drejtësi. “Jemi në një udhëkryq të pazakontë dhe reforma është po ashtu në udhëkryq. Prania ime është një shenjë e rëndësisë së kësaj reforme, jo për SHBA të dhe BE në, por për vetë shqiptarët dhe Shqipërinë. Ne e pranojmë që është e pazakontë që ambasadorët e huaj të takohen me grupet parlamentare”, tha Lu.
Duke diskutuar për Reformën në Drejtësi, kryetari i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi, tha se Partia Socialiste është e angazhuar për miratimin e saj brenda afatit.
“Partia Socialiste është e angazhuar për të miratuar reformën në drejtësi brenda afatit”, tha deputeti Ruçi. Pas kësaj mbledhje, ambasadorët Lu dhe Vlahutin do të takohen me grupin parlamentar të LSI në orën 17:00. Dy ambasadorët do të marrin pjesë edhe në mbledhjen e PDsë, ditën e nesërme. Në këtë të fundit, ka patur debate të ashpra ditën e djeshme, ku disa deputetë kanë dalë kundër pjesëmarrjes së tyre.