Besmir Karaj, nga një polic i thjeshtë u bë famshëm në dhjetor pas protestës së PD, të cilën bashkia e gjobiti për shkatërrim të qytetit. Ishte pikërisht firma e Karajt mbi fletë-gjobë që i dha një rrjedhë tjetër ngjarjes. Ai kontestoi dhe e çoi çështjen në gjykatë me argumentin se ishte falsifikuar firma. Sot Besmir Karaj është larguar nga puna.
Lajmin e bën të ditur PD-ja. Në një deklaratë për mediat, Reila Bozdo deklaroi se “Erion Veliaj, falsifikatori i gjobës që i vuri protestës popullore të 8 Dhjetorit, është hakmarrë ndaj policit bashkiak Besmir Karaj, duke e larguar nga puna”. Sakaq përmes burimeve nga Bashkia, mësohet se “Karajt i ka mbaruar kontrata e punës”.
Ndërkohë, PD-ja akuzon edhe prokurorinë. “Prej 5 muajsh, prokurori Ardian Dyrmishi, mban të mbyllur në sirtar këtë kallëzim, ka provat dhe faktet e mjaftueshme dhe nuk ndërmerr asnjë veprim ligjor ndonëse mediat raportuan se edhe laboratori shkencor i policisë konfirmoi falsifikimin e firmës nga Bashkia”, tha Bozdo.
“Partia Demokratike i kërkon sot këtij prokurori të tregojë se çfarë ka bërë me këtë çështje, pse ai nuk kryen detyrën që i ngarkon ligji”, vijoi ajo.
Sipas PD, polici Karaj që prej tre vitesh në detyrë nuk kishte asnjë vërejtje apo shkelje, hidhet në rrugë, ndërsa autori i krimit, falsifikatori, Erion Veliaj nuk preket, madje vazhdon të trashë zullumin çdo ditë.