Pak ditë më parë shqiptari Emanuel Demaj, kreu i një bande grabitësish që vepronin në territorin e Italisë së Veriut, organizoi një festë në burg, ndërsa fotot i postoi në facebook.
Tashmë policia italiane në burgun e Montorios, i ka gjetur telefoni celular nga ku janë publikuar në facebook fotografitë e festës së ditëlindjes në burg.
Pas një kontrolli prej disa orësh trupat e Policisë italiane të ardhur nga qyteti i Viçençës në bashkëpunim me policinë e burgjeve kanë gjetur telefonin celular, por jo në qelinë e Emanuel Demaj, por në qelinë e një të burgosuri tjetër i huaj, me origjinë nga Evropa Lindore.
Sipas policisë së burgjeve në festën e ditëlindjes së Emanuel Demaj morën pjesë të gjithë të burgosurit me përjashtim të një të dënuari italian.
Sekretari provincial i sindikatës autonome të Policisë së burgjeve, Gerardo Notarfrancesco në faqen zyrtare të kësaj policie prononcohet në lidhje më skandalin që ka shkaktuar në mediat italiane e në rrjetet sociale, fotografia e festës së ditëlindjes në burg të shqiptarit Emanuel Demaj, i konsideruar bosi i një bande grabitësish në Itali.
“Që kur është vendosur regjimi i hapur, shprehet Gerardo Notarfrancesco, të burgosurit mund të qëndrojnë të paktën 8 orë së bashku e për t’i kontrolluar bëhet e vështirë. Në orët e drekës e të darkës mbyllen në qelitë e tyre por gjatë kohës tjetër mund të ndodh dhe që bashkojnë tavolinat e mblidhen në grupe. Për fat të keq në burgje nuk ka më mbikëqyrje si dikur më parë.”
Por më shumë se sa festa e ditëlindjes në burg ajo çka ka shkaktuar skandal në mediat e rrjetet sociale italiane është ekzistenca e telefonave celularë në burgje. Sipas të dhënave të policisë së burgjeve çdo muaj sekuestrohen mesatarisht 2 telefona celularë në ambientet e brendshme të burgut. Sipas sekretarit të sindikatës së policisë së burgjeve Gerardo Notarfrancesco, “të burgosurit që kapen me celularë u sekuestrohet ky objekt si dhe rrezikojnë 15 ditë në izolim të plotë.”