Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme ka votuar sot transferimin e prokurorit Arben Dollapi nga organi qendror i akuzës me detyrë në prokurorinë e Apelit të Shkodrës.
Ky vendim ka ardhur pas disa muajve përplasje direkte mes prokurorit të transferuar dhe kryeprokurorit Adriatik Llalla.
Mësohet se Këshilli ka votuar me shumicë votash propozimin për shkurtime në organikën e prokurorisë së përgjithshme dhe tansferimin e prokurorit Arben Dollapi në Apelin e Shkodrës.
Vetë prokurori i transferuar deklaroi për gazetën “Panorama” se veprimi i kryeprokurorit Llalla ka për synim asgjësimin e një vote kundër tij në Këshillin e Prokurorisë.
“I kam dërguar Presidentit të Republikës një informacion të hollësishëm në lidhje me çështjen dhe kam shpresë se vendimi i marrë sot në prokurorinë e përgjithshme nuk do të dekretohet nga kreu i shtetit”, tha prokurori Dollapi.
Ai vuri në dukje se transferimi i tij vjen pas disa muajsh përplasje direkte me kryeprokurorin Llalla.
“Përplasjet janë ndodhur pasi në cilësinë e drejtorit të drejtorisë gjyqësore kam kundërshtuar emërimet dhe transferimet e parregullta që janë bërë nga kryeprokurori Llalla muajt e fundit pas nisjes së diskutimeve për reformën në drejtësi.
Në panik e sipër ai ka kryer lëvizje të parregullta e të dëmshme në strukturën e prokurorisë. Përplasja ime me të ka nisur kur u ka kërkuar katër drejtuesve të prokurorive në rrethe dorëheqjen nga detyra. Ka qenë një veprim i paligjshëm.
Ata u tha se ikën me dorëheqje por në fakt dorëheqja u ishte kërkuar”, tha prokurori Arben Dollapi.
Ai bëri me dije se ka shpresë se presidenti Nishani do ta ndalojë këtë paligjshmëri.
“Sido që të ndodhë unë do të jem prokuror, pasi kam më se 23 vite në këtë detyrë dhe nuk kam ikur nga detyra dhe nga zyra e punës as në vitet e vështira 1997, kam qenë në detyrë në vendngjarjen e hetimin e Gërdecit, kam nisur e drejtuar hetimet për Bandën e Lushnjës, etj.
Pra unë do jem në detyrë. Përplasja ime me Llallën nuk ka arsye personale, unë jam i realizuar në karrierën dhe formimin tim. Unë i kam thënë kryeprokurorit në prani të kolektivit se “je duke shkatërruar institucionin me lëvizjet që po bën”, tha prokurori./Panorama