Vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda për shpalljen e pafajshëm të Arben Frrokut, të dyshuarit kryesor për vrasjen e Kryekomisarit Dritan Lamajt erdhi pas më shumë se një viti procesi gjyqësor dhe 48 seancave të zhvilluara.
Trupi gjykues i përbërë nga Klodian Kurushi, Fran Prendi, Ardjan Mustafaj, Liljana Baku, me Kryetar Dritan Hallunaj i dhanë pafajsinë Frrokut.
Ai e la qelinë e burgut 302 në Tiranë më 3 Prill të vitit 2015.
Prokuroria për Krimet e Rënda kishte kërkuar dënimin me burgim përjetë, por trupi gjykues arriti në përfundimin se dy nga provat kryesore të sjella nga akuza, ajo e tabulateve telefonike dhe dëshmia e dëshmitarit të mbrojtur të njohur si Arben Ndoka, ishin të pavlefshme.
Pas pafajësisë, organi i akuzës e ankimoi vendimin në Gjykatën e Apelit.
Më datë 29 Qershor 2015, Apeli e dënoi Arben Frrokun me burgim të përjetshëm të formës së prerë, por pas këtij vendimi u konstatua largimi i tij nga Shqipëria.
Ai u shpall zyrtarisht në kërkim ndërkombëtar dy ditë më pas.
Frroku arriti të largohet nga Shqipëria, 10 ditë para vendimit. Ai figuronte se kishte dalë nga Shqipëria në drejtim të Malit të Zi, nga pika kufitare e Hanit të Hotit, në datën 20 Qershor 2015.
Më pas ai kishte vazhduar rrugën për në Kroaci. Në këtë kohë, Frroku ishte ndaluar nga policia e këtij vendi pasi emri i tij figuronte në listën e personave të shpallur në kërkim. Pala kroate komunikoi me autoritet tona duke e sqaruar për situatën.
Në një komunikim të dytë kroatëve iu tha se kishte një gabim, për shkak se nuk ishte bërë azhornimi i sistemit. Arben Frrokut nuk mund t’i pengohej lëvizja, pasi kishte një vendim gjykate që e shpallte të pafajshëm.
Vendim i cili e lironte nga çdo lloj detyrimi.
Pas 5 orë qëndrimi në kufirin mes Kroacisë dhe Malit të Zi, ai u la i lirë për të vazhduar rrugën e tij.
Ky ishte dhe momenti i fundit ku dihej vendndodhja e Arben Frrokut dhe më pas nuk kishte më asnjë informacion.
Dyshimet ishin që ai ndodhej në vendet e Europës Lindore. Një pistë tjetër ishte që ndodhej në vendet e Bashkimit Europian, pikërisht në Belgjikë, vend në të cilin kishte jetuar para vitit 2000.
Kryekomisari Dritan Lamaj u ekzekutua në mbrëmjen e 24 Shkurtit të 2013, në orën 18:00 në afërsi të banesës së tij, në zonën e njohur Vasil Shanto.
24 orë pas vrasjes së tij, biznesmeni Arben Frroku u arrestua në Selanik për llogari të shtetit shqiptar, nën akuzën i dyshuari kryesor për vrasjen e kryepolicit.
Ai qëndroi gati 8 muaj në Greqi dhe në Nëntor të vitit 2013 u ekstradua në Shqipëri. /tvklan.al