Komisioni parlamentar që do të hetojë zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit të shtetit shqiptar gjatë procedurave të privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes kompanisë CEZ nga qeveria paraardhëse, është mbledhur të martën, në mungesë të deputetëve të opozitës, të cilët e kanë bojkotuar për 10 ditë Kuvendin..
Në hapje mbledhjes, kryetari socialist i komisionit, Taulant Balla, duke prezantuar objektin e hetimit, tha se nga procesi i privatizimit të OSSH-së konstatohen parregullsi të shumta ligjore dhe favorizim i kompanisë CEZ, jo vetëm gjatë privatizimit, por edhe në periudha të mëvonshme.
Sipas Ballës, nga viti 2009, kur u krye ky proces, deri në vitin 2013, ish-qeverisja e djathtë e Partisë Demokratike favorizoi kompaninë çeke në mënyrë të paligjshme, duke i shkaktuar qytetarëve shqiptarë një dëm prej 414 milion euro. Gjithashtu, sipas maxhorancës shkelje konstatohen dhe në negocimin e marrëveshjes së shitjes së 76 për qind të aksioneve të OSSH-së, ndërmjet ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe CEZ-t, ku evidentohen efekte negative financiare të shkaktuara nga ndjekja e zbatimit të saj.
Balla tha se detyrë e komisionit hetimor është marrja nga ministritë e Ekonomisë dhe Energjitikës dhe nga Enti Rregullator i Energjise i gjithë dokumentacionit të nevojshëm që provon shkeljet e pretenduara nga Partia Socialiste. Gjithashtu, komisioni hetimor do të thërrasë zyrtarë të lartë të qeverisë parardhëse, përfshirë ish-kryeministrin Sali Berisha, për të dëshmuar rreth procedurave të ndjekura gjatë privatizimit të OSSH-së në vitin 2009./Ata