Gruaja që u mbyt në tualetin e mobilerisë nga i shoqi kishte shkruar një letër ku rrëfente vuajtjet e kaluara.
Letra u publikua sot në seancën gjyqësore, ku Sadedin Sules iu caktua masa e sigurisë “arrest me burg”.
“Kam kaluar momente që nuk mendoja se do t’i kaloja. Kam takuar persona që nuk mendoja t’i takoja. Jam e zhgënjyer!”. Kështu ka shkruar në letër viktima Suela.
Letra është zbuluar në tualet, dhe u paraqit në seancë nga prokuroria e Shkodrës. I akuzuari ka deklaruar se letra nuk ishte shkruar nga gruaja e tij, pasi shkrimi nuk ishte i saji.
“Letra nuk është shkruar nga ajo. Nuk është kaligrafia e saj. Kur dola në mëngjes më tha jam e mërzitur, kam një shtrëngim në kraharor. Kur shkova në mobileri nuk e gjeta. Hyra në banjo dhe e gjeta të lidhur me litar. Shenjat e gishtave në fyt janë pasi i mata pulsin.”, pohoi ai.
***
Gjykata e Shkodrës ka vendosur sot arrest me burg për Sadedin Suli, pronari i një mobilerie i akuzuar se mbyti bashkëshorten e tij.
Në seancën e zhvilluar sot ai ka mohuar se është autori i vrasjes së Suela Sulit, madje para trupit gjykues tha se është i gatshëm të ndihmojë shtetin financiarisht për zbardhjen e ngjarjes.
“Unë nuk e pranoj akuzën për vrasjen e gruas sime. Jam i gatshëm të investoj dhe të ndihmoj shtetin për të zbardhur këtë çështje”, ka thënë Suli në gjykatë.
Ngjarja
Sadetin Sula ka njoftuar vetë policinë për vdekjen e bashkëshortes së tij, Suela Sula. Fillimisht ka njoftuar nipin e tij dhe menjëherë më pas policinë e Shkodrës, duke i thënë se bashkëshortja e tij është vetëvrarë dhe se është në tualetin e mobilierisë e pajetë.
Menjëherë forcat e policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe pasi kanë parë rrethanat dhe shenjat në qafë, sy dhe dorën e majtë kanë bërë shoqërimin në polici të bashkëshortit të saj.
Mësohet se 47-vjeçari nuk ka pranuar se është autor i vrasjes së bashkëshortes së tij, duke i thënë policisë së ajo është vetëvrarë duke mbytur veten me litar dhe se shenjat në trup kanë qenë si shkak i tentativave për t’u vetëvrarë.
I akuzuari është marrë sërish në pyetje dhe ka nisur që të ndryshojë versionin e ngjarjes përpara policisë në disa detaje, duke qenë konfuz dhe duke krijuar dyshime.
Edhe pas daljes së ekspertizës mjekoligjore, Sadetin Sula mësohet se nuk e ka pranuar krimin për të cilin dyshohet dhe ka deklaruar në polici se nuk është ai autori i vrasjes së bashkëshortes së tij dhe se ajo është vetëvrarë./Panorama