DURRES- Hetimet për marrjen e ish-hotel “Vollgës” nga Shullazi përmes gjobvënies kanë nxjerr në pah të tjera probleme me pronësinë e këtij objekti në Durrës. Prokuroria është duke hetuar gjyqtarët që vendosën që objekti të kalojë në pronësi të kompanisë arabe. Përmes një njoftimi për mediat organi i akuzës sqaron se “në një proces civil që ka zgjatur për disa vite, dy palë kanë pretenduar pronësinë mbi truallin dhe objektin. Konkretisht, Mohammmed Abdullah Bavazeri, përfaqësues i “Saudi Brother Commercial Company” dhe shtetasi Zanmir Hasa, janë përballur në gjykatë me pretendimet e tyre dhe çështja ka arritur deri në Gjykatën e Lartë”.
Prokuroria e Durrësit ka konstatuar se teksa që po zhvillohej shqyrtimi gjyqësor në Gjykatën e Lartë, gjykata e Durrësit, për të njëjtin objekt, ka marrë vendimin nr. 449, dt. 18.02.2013, në bazë të të cilit urdhërohet Hipoteka e Durrësit të regjistrojë si pronar në këtë pronë shtetasin Mohammed Abdullah Bavazer, duke fshirë automatikisht nga regjistri hipotekor emrin Zanmir Hasa, i cili rezultonte deri në atë kohë si pronar pranë ZVRRP Durrës.
Prokuroria e Durrësit dyshon se vendimi nr. 449, dt. 18.02.2013 i gjyqtarëve Dhurata Bilo, Vladimir Skënderi dhe Ndue Gjura, është marrë në kundërshtim të hapur e flagrant me ligjin, pasi nuk referohet në asnjë bazë ligjore dhe në dijeni të plotë të ekzistencës së një gjykimi paralel, i cili ndodhej në Gjykatën e Lartë.
Prokuroria e Durrësit vlerëson se vendimi gjyqësor i mësipërm nuk ka asnjë bazë ligjore, pasi në asnjë dispozitë të Ligjit nr.7843, dt.13.07.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” nuk parashikohet koncepti i “fshirjes” së një regjistrimi të kryer apo “anullimi” i fshirjes.
Në vlerësimin e prokurorisë, shkelja është e dukshme, pasi gjykata, në asnjë moment të vendimit të saj, nuk ka shprehur se në çfarë dispozite e bazon vendimmarrjen e saj konkrete për anullimin e fshirjes së kryer nga ZVRPP Durrës.
Prokuroria e Durrësit, deri në këtë fazë të hetimit, ka krijuar dyshime të arsyeshme se ky vendim i gjykatës është marrë haptazi në kundërshtim me ligjin, pasi, duke mospasur asnjë bazë ligjore, gjykata ka vendosur diçka të cilën nuk mund ta vendoste në asnjë rast.
Ky veprim i gjykatës është kryer me dijeni të plotë të paligjshmërisë nga ana e saj, pasi vetë gjykata në vendim është shprehur se zgjidhja përfundimtare e çështjes do të sigurohet pasi të shqyrtohej nga Gjykata e Lartë vendimi nr.433, dt.13.03.2002 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, në zbatim të të cilit, Hotel Iliria (ish-“Vollga”) ishte regjistruar në emër të Zanmir Hasës.
Pra, nga njëra anë gjykata ka pranuar se zgjidhja përfundimtare e çështjes do të vinte pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të konfliktit të themelit nga ana e Gjykatës së Lartë dhe nga ana tjetër, po kjo gjykatë, ka vendosur fshirjen e regjistrimit të pronës nga emri i Zanmir Hasës dhe regjistrimi në emër të shoqërisë Saudit Brothers Commercial Company.
Krahas hetimit të nisur tashmë, Prokuroria do të njoftojë Presidentin e Republikës dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë mbi dyshimet e saj për vendimmarrjen e tre gjyqtarëve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.
Video/ Hotel “Vollga” një triller