Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka zhvilluar një dëgjesë publike me banorët e njësisë administrative numër 10 për projektin e sheshit “Skënderbej”. Veliaj ka hedhur një sërë akuzash në drejtim të presidentit të Republikës Bujar Nishani për mbështetjen që ky i fundit u dha aktivistëve të shoqërisë civile për Parkun e Liqenit.
Ai e ftoi Nishanin të shkojë fillimisht te pallati 17-katësh te diga e liqenit dhe më pas të merret me Parkun. Kryebashkiaku u shpreh i vendosur për ta përfunduar Parkun dhe shumë projekte të nisura.
“Nuk do të zmbrapsem as nga presidenti dhe as nga deputetët me patllake, deklaroi Veliaj. – Këndin e lodrave e bëjmë edhe te parku i Presidentit po ta lirojë ai. Nëse fëmijët e presidentit rriten në parkun e liqenit, çdo fëmijë duhet të ketë akses në parkun e liqenit. Në qytetin që ne do të ndërtojmë, jemi të gjithë të barabartë”, tha Veliaj.
Duke folur për vizitën e kreut të shtetit te Parku i Liqenit Artificial, Veliaj u shpreh: “A do të shkojë Presidenti te pallati 17-katësh te diga? Nuk besoj sepse aty është pronari i shtëpisë ku rri Saliu e shpura e tij. Aty kanë prerë 274 pemë për atë pallat. Dhe thotë se kjo është e padrejtë. Kush është i pari i sistemit tonë të drejtësisë? Presidenti. Kur ishte hera e fundit që takoi një hallexhi në gjykatë? Kur është shprehur për gjyqin e Gërdecit apo 21 Janarit? Ai nuk do dhe nuk ka pasur qëllim që të hyjë në atë pjesë të historisë që ne të themi “Bravo i qoftë”. Nuk i bëj fresk një presidenti të diskredituar dhe qesharak, por punoj për fëmijët e Tiranës”, deklaroi Veliaj.