Süddeutsche Zeitung – Rreth një vit më parë, një burim anonim kontaktoi Süddeutsche Zeitung (SZ) dhe i dorëzoi materiale të brendshme të enkriptuara nga Mossack Fonseca, një firmë ligjore panameze që shet kompani të huaja anonime nëpër botë. Këto kompani offshore u japin mundësi pronarëve të tyre që të mbulojnë marrëveshje biznesesh, sado të dyshimta qofshin ato.
Në muaj që pasuan, numri i dokumentave vijoi të shtohej, përtej rrjedhjes së tyre origjinale. Në përfundim, SZ kishte plot 2.6 terrabytes të dhënë, duke e bërë këtë dhe rrjedhjen më të madhe me të cilën kanë punuar ndonjëherë më parë gazetarët. Burimi nuk dëshironte kompensim financiar apo ndonjë gjë tjetër në këmbim, përveç disa masave sigurie, shkruan në artikullin e saj gazeta gjermane.
Të dhënat në fjalë, janë një panoramë e rrallë të një bote që mund të ekzistojë vetëm në hije.
Provojnë sesi industria globale, e drejtuar nga banka të mëdha, firma ligjore dhe kompani të menaxhimit të aseteve, menaxhojnë në mënyrë sekrete pauritë e personave më të pasur dhe të famshëm në botë, si politikanë, zyrtarë të FIFA –s, mashtrues dhe trafikantë të drogës e deri tek personalitetet e showbiz dhe atletët profesionistë.
Një punë grupi
Gazeta “Süddeutsche Zeitung” vendosi që të analizonte të dhënat në bashkëpunim me Konsorciumin Ndërkombëtarë të Gazetarëve Investigativë (ICIJ). ICIJ kishte bashkëpunuar edhe më parë në disa projekte me SZ, mes tyre Offshore Leaks, Lux Leaks dhe Swiss Leaks. Megjithatë, deri më tani, Panama Papers është bashkëpunimi ndërkombëtar, më i madhi i këtij lloji. Në 12 muajt e fundit, rreth 400 gazetarë nga më shumë se 100 organizata mediatike, në mbi 80 vende të ndryshme të botës, kanë marrë pjesë në studimin e dokumentave. Në to përfshihen grupe gazetarësh nga “The Guardian” dhe “BBC” në Angli, “Le Monde” në Francë, “La Nacion” në Argjentinë. Në Gjermani, gazetarët e SZ kanë bashkëpunuar me kolegët e tyre të NDR dhe WDR. Gazetarë nga zvicerianja “Sonntagszeitung” dhe nga e përjavshmja austriake “Falter”, kanë punuar gjithashtu në këtë projekt. Grupi ndërkombëtar i gazetarëve u takua fillimisht në Washington, Mynih, Lillehammer dhe në Londër.
Të dhënat
Panama Papers përfshijnë rreth 11.5 milionë dokumenta, më shumë se gjithë totali i kabllogrameve të Wikileaks, Offshore Leaks, Lux Leaks dhe Swiss Leaks. Të dhënat janë kryesisht email, dokumente pdf, pjesë nga database i brendshëm i Mossack Fonseca. Mbulon një periudhë kohore që nis nga 1970 deri në Pranverën e 2016 – ës.
Gazetarët kontrolluan dhe verifikuan një numër të madh dokumentash, përfshirë fotokopje pasaportash. Rreth dy vite më parë, një informator kishte shituar të dhëna të brendshme të Mossack Fonseca tek autoritetet gjermane, por ato ishin të vjetra dhe shumë më të pakta, ndërsa u referoheshin disa qindra kompanive të huaja. Por Panama Papers, ofrojnë të dhëna për të paktën 214 mijë kompani. Pas marrjes së të dhënave, vitin e shkuar, hetuesit bënë kontrolle në shtëpitë dhe zyrat e rreth 100 personave. Kontroll u bë gjithashtu edhe në bankën Commerzbank. Si pasojë e bashkëpunimit të biznesit me Mossack Fonseca, Commerzbank, HSH Nordbank dhe Hypovereinsbank pranuan që të paguanin një gjobë prej 20 milionë eurosh secili. Që prej asaj kohe, vende të tjera kanë marrë gjithashtu të dhëna nga rrjedhja fillestare, ndër to vende janë SHBA, Britania e Madhe dhe Islanda.
Sistemi
Të dhënat që kanë rrjedhur janë të ndërtuara në këtë mënyrë: Mossack Fonseca krijoi një folder për çdo firmë. Çdo folder përmban email –e, kontrata, traskripte dhe dokumenta të skanuar. Në disa raste, ka me dhjetëra faqe dokumentash. Fillimisht, të dhënat u indeksuan në mënyrë sistematike për të bërë të mundur punën kërkimore në këtë lumë infomacioni. Në këtë pikë, Süddeutsche Zeitung përdori Nuix, të njëjtin program që përdorin hetuesit ndërkombëtarë. Süddeutsche Zeitung dhe ICIJ ngarkuan miliona dokumenta në kompjutera me performancë të lartë. Ata aplikuan një njohje optike të karaktereve (OCR) për të trasformuar të dhënat në një paisje lexuese dhe që e bënte të thjeshtë për të kërkuar dokumentat. Procesin e shndërrimit të imazheve, ID e skanuara dhe kontratat e nënshkruara në tekste që mund të kërkoheshin. Ky ishte një hap i rëndësishëm, sepse i jepte mundësinë gazetarëve që të kontorollonin një sasi sa më të madhe informacioni duke përdorur një mënyrë kërkimi të ngjashme me Google.
Gazetarët përpiluan listën e politikanëve të rëndësishëm, kriminelëve ndërkombëtar dhe atletëve profesionistë të famshëm. Procesimi dixhital bëri të mundur që më pas, ata të kërkonin informacione në dokumentat e rrjedhur me anë të emrit. “Pjesa e skandalit të donacioneve” përmbante 130 emra, ndërsa lista e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara, më shumë se 600. Në vetëm pak minuta, algoritmi i fuqishëm kërkimor, krahasoi listën me 11.5 milionë dokumentet.
Puna kërkimore
Për çdo emër të gjetur, niste një proces kërkimor i detajuar, që shtronte këto pyetje: Cili është roli i këtij personi në rrjetin e kompanive? Nga ku vijnë paratë? Ku shkojnë? A është strukturë ligjore?
Në terma të përgjithshëm, të kesh në pronësi një kompani offshore, në vetvete nuk është e jashtligjshme. Në fakt, të paturit një kompani offshore shihet si një hap logjik për një gamë të gjerë transaksionesh të bizneseve. Megjithatë, po t’i hedhësh një sy të shpjetë “Panama Papers”, rezulton se fshehja e identitetit të pronarëve të vërtetë të kompanive ishte objektivi primar në pjesën më të madhe të rasteve. Mundësuesit e kompanive offshore, mes tyre banka, avokatë dhe këshillues investimesh, shpesh i mbajnë emrat e klientëve të tyre sekretë dhe përdorin prokura. Në këmbim, të dhënat e prokurave çuan në liderët e shteteve, zyrtarë të rëndësishëm dhe milionerë. Gjatë punës së këtij projekti ndërkombëtar, gazetarët bashkëpunuan me njëri – tjetrin për të hetuar qindra pista. Ata ekzaminuan të dhënat, studiuan kontratat dhe folën me ekspertë.
Ndër të tjera, në klientët e Mossack Fonsecas përfshihen edhe kriminelë dhe pjesëtarë të disa grupeve të Mafias. Dokumentat ekspozojnë gjithashtu skandale korrupsioni dhe kryetar shtetesh dhe qeveri të korruptuara. Kompanitë e dyshuara offshore të 12 liderëve shtetesh, disa prej tyre ende në pushtet, përmbëjnë pjesën më spektakolare të dokumentave të rrjedhura, ashtu sikurse lidhjet me liderët e tjerë, me familjet e tyre, këshilltarëve të afërt dhe miqëve. Firma ligjore në Panama numëron gjithashtu rreth 200 politikanë të tjerë nga i gjithë globi në mesin e klientëve të saj, përfshirë disa ministra.
Kompania
Kompania në qendër të gjithë kësaj historie është Mossack Fonseca, me bazë në Panama. Ajo u mundëson kompani offshore, qindra zyrave në mbarë botën. I shet këto kompani për firma në qytete si Zyrih, Londër dhe Hong – Kong, në disa raste me çmime të leverdisshme. Klientët mund të blejnë një kompani anonime për të një shumë prej 1 mijë dollarësh. Megjithatë, ky çmim është një mbulim. Për pak para më shumë, Mossack Fonseca mundëson një drejtor fiktiv dhe nëse klienti dëshiron, fsheh pronarin e vërtetë të kompanisë. Rezultati është një kompani offshore, qëllimi i vërtetë i së cilës dhe struktura është e pa deshifrueshme nga jashtë. Mossack Fonseca ka themeluar, shitur dhe menaxhuar qindra kompani. Dokumentet japin një panoramë të detajuar për mënyrën sesi Mossack Fonseca, pranon të bashkëpunojë me aktivitetet e bizneseve dhe që potencialisht shkelin sanksionet, duke ndihmuar dhe nxitur evazionin fiskal dhe pastrimin e parave.
Süddeutsche Zeitung
Me qendër në Mynih, Süddeutsche Zeitung është një prej gazetave kryesore në Gjermani. Numëron 4.4 milionë lexues në versionin e printuar dhe online. Grupi i gazetarëve investigativë është i përbërë nga 5 persona, 3 prej të cilëve janë pjesë e Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë. Süddeutsche Zeitung ka fituar disa çmime prestigjoze për punën e saj kërkimore. Stafi i saj ka bashkëpunuar me organizata të tjera mediatike për disa projekte. Projekti i Panama Papers nisi në fillim të 2015 – ës.
Süddeutsche Zeitung/Klan