Udhëheqës dhe zyrtarë të ndryshëm në Ballkan kërcënohen seriozisht për publikim dokumentesh në lidhje me fshehje dhe pastrim parash.
Lajmin e publikimit të këtyre dokumentave e bëjnë me dije disa hetues të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Paralajmërimi, vjen menjëherë pas publikimit të një prej firmave më të mëdha ligjore në Panama, “Mossack Fonseca”, nga e cila kanë rrjedhur informacione që zbulojnë se si pushtetarë në të gjithë botën përdorin kompani të huaja, për të fshehur miliarda dollarë pasuri jashtë vendeve të tyre.
Një nga këta është Miranda Petruçiç nga Projekti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila ka theksuar për REL, se në Ballkan mund të zbulohet një numër i interesant rastesh të tilla.
“Ne kemi pasur qasje në një bazë të të dhënave prej 2.6 terabajtësh. Kjo është rrjedhja më e madhe që ka ndodhur ndonjëherë dhe bëhet fjalë për 11.5 milionë dokumente.
Ka (raste) në Serbi, në Bosnje dhe në gjithë rajonin.
OÇRP ka mbuluar Azinë qendrore, Evropën lindore, Rusinë, Ballkanin dhe Kaukazin.
Tash për tash jemi fokusuar në ato tregime që kanë qenë prioritet, si presidenti i Rusisë, i Ukrainës, i Azerbajxhanit, i Kazakistanit. Pasi të dalë cikli i parë, do të fokusohemi edhe në këtë rajon dhe tregimi do të jetë i shkëlqyer”, ka thënë Patruçiç, e cila është redaktore rajonale e OÇRP-së.
Dokumentet që kanë rrjedhur deri më tash, e që janë emëruar si “Panama Papers”, vënë sidomos theksin te krerët e Rusisë, Ukrainës dhe Azerbajxhanit.
Thuhet se ata janë të angazhuar në operacione të dyshimta për të fshehur pasurinë jashtë vendit.