Katër shqiptarë janë vënë në pranga gjatë ditës së djeshme në Romë,
Itali, pasi me veprimet e tyre do të linin kryeqytetin italian pa ujë. Siç
shkruan agjencia ANSA, nëse nuk do të ishte sistemi rezervë i energjisë
elektrike, oret e fundit Roma do të ishte e gjitha pa ujë.
Shqiptarët e arrestuar akuzohen se kishin vjedhur rrjetin elektrik të
impiantit të ujit, por rrjeti rezervë e ka shpëtuar Romën nga katastrofa e
mungesës së ujit.
Gjatë operacionit të zhvilluar gjatë natës, karabinierët përveç arrestimit
të shqiptarëve kanë sekuestruar edhe 3240 kilogramë tela, të gjatë më
shumë se 2 kilometra dhe me një vlerë prej 50 mijë eurosh. Gjithashtu
janë sekuestruar edhe 11 lidhje elektrike.
Arrestimi i 4 shqiptarëve është bërë gjatë natës, pas një ndjekje të gjatë
nga ana e dy patrullave të policisë. Të gjithë janë të akuzuar për vjedhje
dhe sot janë njohur me masat e sigurisë, arrest në burg.