Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i cili po merr pjesë në takimin e organizuar nga Partia Popullore Europiane u takua dhe bisedoi me Presidentin e PPE Joseph DAUL, kryetarin e Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian, Elmar BROK me komisiinerin per zgjerim Johannes Hahn, ministrin e Jashtëm Austriak Sebastian Kurz etj. Një nga çështjet kryesore të diskutuara në këtë takim ka qenë situata në Ballkanin Perëndimor.
Zoti Basha i ka njohur bashkëbiseduesit me situatën në Shqipëri, krizën ekonomike që ka përfshirë vendin, korrupsionin galopant, refuzimin që mazhoranca i bën zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ecurinë e procesit të dekriminalizimit, Reformën në Drejtësi etj.
Shpirti i ligjit për dekriminalizimin po sfidohet akoma pa nisur punë, theksoi zoti Basha duke përmendur shfaqjet e kryeministrit në krah të personave me precedentë kriminal, që nga ish-deputeti socialist Arben Ndoka, tek kryebashkiaku i Kavajës dhe Krujës, apo rasti flagrant i kthimit në Parlament të deputetit Armando Prenga i cili plagosi katër persona brenda në Komisariatin e Policisë.
Kryetari Basha theksoi faktin se, Edi Rama se largon dot nga Parlamenti Armando Prengën pasi deputeti i radhës është i dënuar me burg.
Duke shprehur shqetësimin se lidhja e Ramës me krimin dhe korrupsionin mbetet e fortë, Basha tha se dekriminalizimi që të zbatohet kërkon vullnet politik, gjë që tek Kryeministri i vendit për shkak të lidhjeve të tij mungon. Zbatimi i ligjit të dekriminalizimit është kusht themelor për zgjedhje të lira dhe të ndershme, theksoi zoti Basha.