Nga Artur Zheji
Në fund të fundit jemi qesharakë. Ajo çka po ndodh në Prishtinë me gazin lotësjellës dhe ato çka ndodhin në Kuvendin e Shqipërisë rrëfejnë një paaftësi rrënjë thellë të shqiptarëve për tu vetëqeverisur në kornizën e një normaliteti.
Duket kjo një histori e vjetër dhe gati genetike, që buron me sa duket që nga Mesjeta. Në rrëfimin që bën biografi i Gjergj Kastriotit, Marin Barleti dhe në analizën e papërsëritshme historike që bën Fan Noli, vështirësia më e madhe e shqiptarëve ishte vetëqeverisja e përbashkuar, nën një komandë të vetme si domosdoshmëri për të përballuar Perandorinë Osmane.
Skënderbeu, simbas këtyre historianëve, ja mbrriti, diku me forcën e arësyes dhe diku me forcën e shpatës të mblidhte Kuvendin e Parë të Lezhës, për të bashkuar fiset dhe klanet shqiptare, në luftën e tyre shumëvjecare e gati të përjetëshme vëllavrasëse.
Për një femër, për një ngastër tokë apo për një sënduk me flori.
Mirëpo duket emblematik fakti, që Skënderbeu, Mbreti i padeklaruar i shqiptarëve në Mesjetë, ndërroi jetë, tek situata, mbas 25 vite qëndrese, po dilte nga kontrolli dhe ai, vendosi të mbledhë një Kuvend të Dytë të Lezhës. Më pas Historia Shqiptare, mbas dështimit të Kuvendit të Dytë të Lezhës, ka dëshmuar kryesisht suksesin e përçarjes dhe një pothuajse Luftë Civile të përhershme. Tradhëtirat dhe pabesitë kanë qenë pjesë e pandarë e shoqërisë sonë, krejt në të kundërtën çfarë këndojmë në folkloret tona, shpesh të rrejshme, për mitin e pavërtetuar të Besës së mbajtur dhe të pathyer të shqiptarit.
Sot jetojmë në kohëra të tjera. Ripërsëritja e klimës së tensionit politik, që në thelb mbetet sërish ndërklanor, që si e do edhe koha moderne grupohen në emërtesën parti X apo parti Y, mbajtja gjëndjes së luftës për vite të tëra, si një alter ego, apo si një natyrë e dytë e shqiptarëve, qoftë në Shqipëri dhe qoftë në Kosovë, na bën të turpërohemi me qesharakësinë e saj vrastare.
Bilancet, së paku në këto 25 vitet e fundit të politikës “demokratike” në Shqipëri, janë të shtruara në tryezë dhe lexohen qartësisht dhe pa ekuivoke.
Jemi të fundit në ekonomi dhe jetë paqësore! Në Ballkan dhe në Europë. Ndonëse jemi nga më të begatët për pasuri natyrore, klimatike dhe nën tokësore, për frymë popullsie.
Jemi të parët në listën e zezë të korrupsionit dhe të shpërdorimit të pasurive tona kombëtare. Dhe këtu ka një Bashkëfajsi dhe një Bashkëpërgjegjësi trasversale. Sepse kjo është produkti më i mënxyrshëm i luftës politike, në të vërtetë një luftë klanesh ekonomike dhe financiare.
Përmbi ligjin dhe besimin e votës së popullit.
Mirë po kjo vetë grabitje, që ka krijuar një kastë parellinjsh, që mbijnë dhe rriten si kërpudha, pa rrënjë pra dhe kryesisht si një kastë seksere që vjedh nga portofoli kombëtar, duke përdorur si referent klasën politike, si bashkëpuntore të drejtëpërdrejtë, po rezulton edhe një burim i pashtershëm instabiliteti, që ngjan gjithmonë e më shumë me një luftë të pashpallur civile.
Klane financiare grabitqare të pasurive kombëtare, që përdorin politikën, retorikën dhe slloganet tashmë boshe të saj, si gjethe fiku, për të mbuluar hallatet e palare të qëllimit të vërtetë.
Pasurimin dhe vetëm pasurimin pa kufij dhe me një pangopësi histerike, që tradhëton gjithashtu edhe probleme të rënda psiqike, të individëve të caktuar.
Pa dashur të bie në moralizëm, çështja e vërtetë që shtrohet për ne që e pësojmë këtë realitet, është dhe mbetet Qeverisja normale dhe Stabiliteti, apo paqja sociale e nevojshme për të rritur fëmijët pa guerrilje urbane. Sepse tanimë rrezikojmë të arrijmë në ngërce të njëpasnjëshme, institucionale. Le të shikojmë se çpo ndodh në Kosovë, ku shpesh e më shpesh të kap frika. Ndërsa tensionet në Kuvendin e Shqipërisë, nuk u lenë kohë dhe kushte shqiptarëve që të gjykojnë me qetësi dhe realizëm se çfarë bilanci ka në të vërtetë qeveria Rama.
Dështim apo sukses. Katastrofë apo riparime të një katastrofe të trashëguar.
Në llogoret emocionale të politikës, të mbuluara nga baruti dhe mitralimi verbal të një militantizmi, egoist dhe luftarak, në emër të llokmës që u nda dje apo të llokmës që po ndahet sot dhe se çfarë po mbetet për tu ndarë nesër, prodhohen pra, kaq shumë mjergull dhe kaq shumë sulme radikale verbale, sa që qëndrimet e arësyeshme dhe racionale bëhen të pamundura.
Pasi që është kushtrimi i luftës së klaneve të oligarkëve, mbetet i pari dominues i të përditshmes tonë politike, duke bërë artificialisht të paragjykueshëm çfarëdo lloj qëndrimim bi apo përtej palëve.
Dhe kjo fatkeqësisht është simetrike edhe në Shqipëri edhe në Kosovë, ku të përbashkëta te trishtuara, përveç gjakut dhe racës, janë Konflikti, Varfëria dhe Qesharakja.
Kështu që mjerisht “Partia e të Arësyeshmëve”, mbetet padrejtësisht një pakicë, gjithësesi e shëndetshme e aseteve mendore të shqiptarëve.
Një Pakicë që Lufton edhe ajo, për të mos mbetur në skaj, aty ku nuk e ka vendin në shoqërinë shqiptare.
Që po popullohet më së shumti me mjeranë të pashpresë e ikanakë si edhe një kastë qesharakësh. Që njësoj do të vdesin një ditë edhe ata, pamvarsisht mullarëve me bileta 500 eurshe, që përdorin në vend të leshit përmbushjen e dyshekëve, ku dhe gërhasin gjumin e tyre të paqetë dhe plot ankthe dhe makthe.
Nga ato me pistoletë te koka. Të cilat për hir të së vërtetës, krisin te tëmthat jo rrallë ndër pinjollët e oligarkëve.