28 persona janë arrestuar në Itali mes tyre dhe një shqiptar, të gjithë anëtarë të organizatës mafioze “Ndrageta”.
Arrestimet u kryen në zonën e Lombardisë (Milano, Monza dhe Brianza,Varese, Pavia dhe Como), si dhe në Kalabri dhe Pulia.
Sipas policisë, organizata mafioze kishte ngritur dhe plantacione të drogës në Shqipëri. “Ky grup kishte arritur të ngrinte plantacione marijuane në Shqipëri dhe prej andej e sillnin drogën drejt Italisë”, deklaroi kreu lokal i Antimafies, Marcello Tatangelo.
Detajet e këtij fakti u zbuluan falë një hetimi pesëvjeçar të Prokurorisë së Antimafies Italiane. Për 11 prej të arrestuarve bëhet me dije se ka prova të pakundërshtueshme për pjesëmarrjen e tyre në organizatën “Ndrageta”.
Hetimet filluan si rezultat i dy incidenteve të ndodhura në Sesto San Giovanni, më 18 dhe 21 dhjetor 2012. Pas një shkëmbimi zjarri mes disa makinave në një zonë të diskutueshme të trafikimit të lëndëve narkotike.
Sipas autoriteteve italiane, trafikimi i drogës nga ky grup kishte dimension ndërkombëtar, dhe në atë kohë janë konfiskuar mbi 200 kilogramë drogë, duke përfshirë kokainë dhe marijuanë. Marijuana raportohet se vinte nga Shqipëria.
Luçiano Noçera, pjesëtar i grupit dhe tashmë i penduari dhe bashkëpunëtor i drejtësisë, zbërdheu për Prokurorët e Antimafias mënyrën e funksionimit të grupit dhe faktin e investimit të kësaj organizate në mbjelljen e plantacioneve me kanabis dhe transportin që bëhej nga Shqipëria drejt Puljas në Itali dhe vendeve të tjera europiane.
Pak kohë më parë Noçera u deklaroi autoriteteve italiane se disa vite më parë i kishte dërguar një politikani shqiptar një makinë të tipit “BMV”.
Hetuesit deklaruan se këtij grupi i janë sekuestruar në këto pesë vite hetimesh me qindra kg marijuanë të ardhur nga Shqipëria, kokainë që vinte nga Rumania dhe hashash nga Spanja./ Tv Klan