Një bandë mes të cilëve ndodheshin edhe shqiptarë është goditur nga policia italiane, pasi akuzohen për grabitjen e supermarketeve dhe farmacive në zonën e Merate.
Shqiptarët e arrestuar janë Arbi Tosku 23 vjeç dhe Maltin Çela 21 vjeç. Ndërsa dy shokët e tyre në bandë ishin egjiptianë. Ata kanë kryer një seri grabitjesh gjatë disa muajve me radhë.
Nga plaçkitjet e kryera, ata kanë mundur të marrin në total një shumë parash prej 8 mijë Euro. Nga kontrollet në banesat e tyre, policia u ka gjetur atyre vetëm 200 Euro.
Ata janë zbuluar nga kamerat e sigurisë së bizneseve që grabisnin. Lëviznin me një makinë të kuqe që rrinte gjithnjë pranë zonës ku kishin zgjedhur të vidhnin.
Veprimtarinë kriminale ata e kanë nisur verën e kaluar, kur filluan të futeshin në farmaci dhe supermarkete, të armatosur me pistoleta dhe thika.