Nga Edison YPI
Ka ngjashmëri mes përpjekjeve për shkuljen e Doktorit të politikës dhe lodhjeve për çrrënjosjen e Rrepës së Abetares.
Në Abetare, pasi gjyshi, gjyshja, mbesa, qeni, dhe macja, të cilët thirrën në ndihmë me rradhë njëri tjetrin, Rrepa mezi u shkul me ndihmën decizive të më të flliqurit, më të voglit, në dukje më të dobëtit, atij që u thirr i fundit, miut.
Në politikë, gjyshi e ka kapur Doktorin ku ka mundur. Por i ka duart e dobëta, s’sheh mirë nga sytë, s’dëgjon mirë nga veshët, i dhembin kockat, i dhemb koka, thotë se ka qënë partizan, ka bërë kërrdinë mbi italianë e gjermanë, por nuk mban mënt mirë nëse luftoi a s’luftoi, madje ishte a s’ishte luftë.
Gjyshja tërheq nga pas gjyshin. Por as tërheqja e saj s’po ka ndonjë efekt për shkuljen e Doktorit. Gjyshja ka qënë shefe kuadri, ka qënë e lidhur me Sigurimin e Shtetit, e ka kokën të turbullt, është e telekosur dhe e telendisur nga hallet e jetës. Tek tërheq sa mundet mendjen e ka gjithë kohës tek mitingu i ardhshëm. Ku çfaqet në rradhën e parë, ta kapi televizori sa më bukur, me rrudha, me flokë të bardha, që tu mburret gjysheve të ngjajshme gjatë kafeve të pasditeve duke kujtuar spiunlliqet dhe duke qarë bashkarisht hallet për kohët e këqia që kanë ardhur me Benza dhe Toyota të shtrenjta, supermarkete me çmime të larta, autostrada që marrin jetë njerëzish të pafajshëm, dhe të tjera muhabete gjyshesh kurviste.
Mbesa gjthashtu vdes nga qefi ta shkuli Doktorin. Tek tërheq gjyshen, që gjyshja të tërheqi gjyshin dhe gjyshi Doktorin në përpjekje për ta shkulur si Rrepën, mbesa mendjen e ka tek laptopi, blogu, gjithato selfie që ka vënë në Fejsbuk, miqtë, rrëshqanorët, reptilët, krokodilët, tek moda e stinës, parrukierja, Pub-et, udhëtimet, biletat e avionëve, oraret, prenotimet e udhëtimeve për në perëndim, ku jetohet mirë, ku njerëzit nuk janë të egjër si në Shqipëri, por të butë si qingja, të edukuar të sjellshëm. Kjo biçim mbese që t’i thotë një për një emrat e urave mbi Tamiz, po e pyete ku bie Kanioni i Holtës, të bën budalla.
Mbesën e tërheq nga pas qeni. Edhe qeni fort i etur për ta shkulur Doktorin. Qeni, tek merret me shkuljen e Doktorit duke lehur, mendjen e ka tek babi, mami, një regjiment xhaxhallarësh dhe një batalion dajallarësh. Të gjithë komunista dhe sigurimista vrasës. Me kujtime nga lufta, fotografi mbi mure, histori me diversanta, qeni dhe xhinsi i qenit kanë punëra të mira, biznese, pare, por pa shkulur Doktorin s’ndjehen të lumtur.
Për hir të shkuljes së Doktorit, që është një qëllim më i lartë dhe më i dobishëm se sherret animalistike, pas qenit, në një aleancë jo fort të natyrshme me të, qëndron e kapur me kthetra macja. Macja është e çuditur e si dhe pse i kanë vënë përpara pikërisht qenin me të cilin s’ka pasur kurrë mardhënie të mira. Megjithatë, për hir të shkuljes, macja tërheq sa mundet. Por belaja për macen nuk është qeni pas të cilit është kapur. Tmerri i maces është miu nga pas, të cilin, në këto rrethana nuk mund të kthehet ta kullufisi.
I fundit në rresht për shkuljen e Doktorit, miu. Edhe miu i dëshpëruar. Miu s’ka lënë gjiriz pa u futur, pisllëk pa lëpirë, qenef pa e futur kokën, llaf të ndyrë pa thënë nëpër kafenera, gazeta, revista, radio, televizora, si e si ta shkuli Doktorin, por pa sukses. Dhe ja tani, tamam tani kur shkulja e Doktorit pritet të ndodhë, e kanë lënë në fund fare me macen përballë që kthen sytë e zgurdulluar gati për ta kullufitur.
Lënia e miut në fund, s‘ështe e vetmja qefmbetje në lidhje me rradhitjen. Mbesa gjithë kohën turivarur për atë padrejtësi aq të madhe që në krye të shkuljes kanë vënë dy të vjetër të rrudhur e të ngordhur dhe jo atë, mbesën e bukur të Fejsbukut.
Qeni, si më besniku dhe më i respektueshmi me të vjetrit, që të mos i mbetet qefi gjyshit, pretendon të jetë së paku i dyti në rradhë.
Pretendim të kundërt ka vetëm macja. Ajo pranon të jetë e fundit. Me kusht që të ketë përpara miun e lakmuar për ta gëlltitur, kusht ky që nuk mund të plotësohet sa kohë vet miu s‘është kurrsesi i kënaqur të jetë i fundit, por, për një nuhatje sa më të saktë dhe manovrim sa më të shpejtë në çastin final të shkuljes, pretendon vetëm kreun.
Po respektohet pra rradhitja, meritokracia, me gjyshe faqezeza, mbesa mëndjelehta, nipër bythpambukë, qënër lehës, mace çjerrëse, si dhe minj vrimash, që i janë vërsulur Doktorit ta shkulin. Por Doktori nuk po shkulet. Dhe kurrë nuk do shkulet. Doktori nuk është rrepë. Politika nuk është Abetare.