Nga : Ines Rushiti
Nëse ka një koncept tëvështirë për t’u shpjeguar në realitetin tone të brishtë shqiptar, bile dhe
për t’u analizuar nga studiuesit dhe psikologët më të mëdhenj në botë, është ai i të quajturit
“vlerë”.
Sot për sot, ndoshta më shumë se çdo here tjetër, ne përballemi me një dilemë të madhe
njerëzore dhe formuese, nëse vlera e kapakut të secilit prej nesh, “vlen” aq sa duhet.
Çfarë përbën vlerë sot? Kush dhe si përcaktohet vlera e duhur e cilësisë së gjithçkaje që na
përket? Vlerë përbën paraja apo bagazhi profesional? Bukuria apo inteligjenca? Morali i një
shoqërie me hapa breshke afër dhe larg tranzicionit apo karakteri individual?
Në një kaos të tillë shoqërie, dhenie dhe marrjeje, konsumiste deri në limit, ky përcaktim bëhet
idilik dhe diku-diku i çuditshëm !
Ti je i suksesshëm se ke para… pushtet, ke miqtë e duhur apo thjesht se je më i/e bukur se të
tjerët nga natyra apo ç’rëndësi ka ,edhe me operacione plastike ! Nocione këto, që paradoksalisht
humbasin raportin me meritën dhe të vërtetën.Modelet e lidershipit të politikës, kompanive më të
rëndësishme private, medias e veçanërisht artit e kulturës, që serviren çdo ditë lehtësisht në
pjatën tonë të përditshme, nuk të bëjnë më të ndihesh dhe aq krenar për elitën që të përfaqëson !
E në mes të kësaj asgjëje të madhe, paaftësia fiton gjithmonë. Fiton me intrigë, joshje,
servilizëm, hipokrizi,mik,para…sepse fundja, kjo të bën të suksesshëm e paralelisht,të famshëm!
Të lexuarit dhe puna mbeten tashmë pritshmëri të lodhshme për t’u thënë, e jo më për t’u
realizuar nga masa e gjerë.E jo pse s’duan…por se të tilla pritshmëri, në pjesën më të madhe të
rasteve, të lënë të papunë dhe të pavlerësuar në shoqëri.Kush mendon të kundërtën, mjafton të
shohë modelet që flasin çdo ditë, çdo sekondë të jetës sonë të thjeshtë e të përditshme më shumë
se gjithçka tjetër. Modele që mbeten fatkeqësisht shembujt e këtij brezi të ri që po vjen !
Ndoshta po të shikonim gotën bosh nuk do kishte rrugëdalje në këtë humbëtirë pa emër dhe
përmbajtje, por unë preferoj të shoh dritën e bardhë në gotën plot të asaj pakice sociale të mbetur
në vetmi që beson në emancipimin e trurit si thelb për emancipimin e elitës…e si pasojë dhe të
shoqërisë.
Të presim…koha do flasë më shumë..!