Shqiptari i arrestuar për vrasjen e bashkëshortes së tij greke, Klodi Lesi ka rrëfyer në polici aventurën 18 ditore në përpjekje për të kaluar kufirin dhe për të ardhur në Shqipëri bashkë me të birin 4 vjeç. Ai u arrestua dje nga policia greke dhe gjatë dëshmisë në polici ka treguar për konfliktet me të shoqen në proces divorci dhe për arratinë në pyje.
“Ditën e parë fjetëm në një tendë në mal pranë një automjeti të braktisur. Djali më pyeste vazhdimisht ku po shkojmë dhe unë i thashë u zura me mamin dhe do ikim në Shqipëri. Të nesërmen hyra në një vilë ku nuk kishte asnjeri. Qëndruam atje. Hëngrëm mjaltë, konserva dhe çfarë gjetëm. Aty mora batanije për të mbuluar Fivon.
Disa netë të tjera fjetëm në rulotë dhe në tenda në Psahudia. Atje kam gjetur pak ushqim dhe hëngrëm. Problemi im më i madh ishte ushqimi dhe jo gjumi. Fivo grindej kur e merrte uria. Një ditë vodha një pulë, një ditë tjetër një lepur. E thera, e poqëm në pyll dhe e hëngrëm. Gjeta edhe fruta dhe i hëngrëm bashkë me djalin”, është shprehur ai.
Shqiptari ka treguar gjithashtu se qëllimi i tij ishte të kalonte kufirin për në Shqipëri por nuk ja arriti dot, pasi policia kishte ngritur shumë kontrolle.
“Pasi vrava Lelën mora Fivon dhe e vendosa përpara në motor. U drejtova për në Psahudia. Qëllimi ishte që të mbërrija në Selanik dhe prej andej me ndonjë të njohur të mbërrija në Shqipëri. Kur arrita në Psahudia telefonova një mikun tim që jetonte në Ormilia, por kishte ikur në Shqipëri. E pyeta që të më gjente një mënyrë të shkoja në Selanik, por nuk mundi të më gjente. Pastaj mora një taksist që e njihja, por në atë momente kishte një tjetër punë dhe nuk mund të vinte të më merrte. U përpoqa të ikja me këmbë drejt Selanikut, por kishte gjithandej policë. E kam menduar shumë që të dorëzohesha, por nuk e bëra. Celularin e hodha që atë ditë për të mos më identifikuar”, tregon ai.
Klodi Lesi u arrestua të dielën, në distancë të afërt nga banesa ku kishte masakruar me thikë bashkëshorten greke me të cilën ishte në proces divorci, në gadishullin e Halkidikisë.