TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka folur në një intervistë në Top Channel për atë çfarë po ndodh sot me politikën dhe çfarë është rënë dakord me Metën për reformën në drejtësi.
Ai tha se Komisioni i Posaçëm pë Reformën do të mblidhet nesër në Kuvend. Çka do të thotë se aty do të jenë edhe deputetët e LSI. “Drafti do të merret nesër në shqyrtim nga deputetët e këtij komisioni dhe do të dorëzohet brenda afateve në Komisionin e Venecias”, tha Rama.
“Procesi do të vazhdojë siç është planifikuar. Palët do të shfrytëzojnë këtë mundësi që përveç draftit nga ekspertët e nivelit të lartë ti kërkojnë Venecias shpjegime plotësuese të rekomandimeve të tyre”, tha ai, duke lënë të kuptohet se në Venecia do të shkohet sërish me drafte të ndara.
I pyetur për uljen në tryezë me opozitën, Rama tha:
“E kam thënë që ditën e parë, konsensusin me opozitës nuk e kërkoj në hava, e kërkoj mbi bazën e raportit final të Komisionit të Venecias. Këndëvështrimi i Venecias do të jetë një pikë referemi për ne. Është Venecia që do të na ndihmojë me raportin final. Ajo do të sheshojë mosmarërveshjet e një leximi të ndryshëm për sa i përket ‘shumicës së cilësuar’. Tryeza politike nuk ka asnjë shans të mblidhet pa na ardhur përgjigja mbi draftin nga Venecia”, tha Rama.
Nëse drafti që vjen nga Venecia nuk votohet në Kuvend a mund të shkojmë në referundum?
“Duhet dakordësia e 2/3 të parlamentit për të shkuar në referendum. Nëse palët gjykojnë se populli duhet pyetur në këtë proces dakordësia mes palëve do të ishte rruga më e arsyeshme”.
Kështu u shprh Rama, i cili e la të hapur mundësinë e mbajtjes së referendimit, nëse nuk votohet reforma në drejtësi në Parlament.